na ndiq ne

Bentley Mulliner Bacalar

22/03/2020

12 qirinj për të festuar 100 vjetorin e markës

Marka angleze e makinave extraluksoze Bentley, në kuadër të festimeve për 100 vjetorin është duke përgatitur një seri modelesh të veçanta për klientët e saj. Në këtë valë hyn edhe modeli coupé i pagëzuar Bacalar, që përfaqëson padyshim një makinë ëndrrash njësoj si gjiri i Meksikës me të njëjtin emër, i cilësuar si një copëz parajse mbi tokë.

Bentley Mulliner Bacalar (ky është emri i plotë i modelit) është një supermakinë e prodhuar mbi bazën e Coupé-së Continental GT (lexo këtu për Bentley Continental GT), por që të përbashkët me të ruan pak elementë. Njësia motorike është e njëjtë, W12 6.000 kubikë TSI por fuqia rritet në 659 kuaj.

Kambio automatike, tërheqja integrale (4×4) dhe disqet gjigande të përmasave 22” janë disa nga ngjashmëritë që Bacalar ka me Continetal-in, por përbrenda është një përrallë tjetër. Druri i përpunuar Riverwood vesh ambjentin e brendshëm në përpunimin “piano black” ndërsa sediljet janë një miks artizanal i lëkurave më të përzgjedhura dhe një leshi special anglez që mund të kombinohen në një pafundësi versionesh sipas “kapriçove” të çdo klienti. Çdo klient, për të qenë sa më “chic” në udhëtimet e tij, mund të blejë një set valixhesh të prodhuara posaçërisht për të, të realizuara me materialet e sediljeve të makinës së tij.

Nga jashtë bie në sy një bojë speciale e karrocerisë e zhvilluar nga luspat e kokrrave të orizit për t’i dhënë një shkëlqim të veçantë dhe një element ikonik: për herë të parë, logo Bentley është e realizuar në bronz, në ngjyrë të florinjtë.

Të gjithë elementët prej alumini ose karboni janë krijuar posaçërisht për Bacalar, disa prej tyre nëpërmjet printimit 3D.

Bacalar është modeli që pasuron ofertën Bentley me modele që kanë vlera koleksionistësh. Në këtë drejtim, teknikët anglezë janë punuar në ndërtimin e tre linjave të veçanta që janë Classic, Collections dhe Coachbuilt.

Në linjën Classic Bentley ka realizuar restaurimin special të një Corniche të 1939, së bashku me restaurimin e një Blower Continuation të 1929.

Në linjën Collection do të bëjnë pjesë një seri e kufizuar e modeleve la Continental GT Mulliner Convertible ndërsa Bacalar bën pjesë në programin Coachbuilt. Këtu janë parashikuar gjithësej 12 njësi të cilat janë të gjitha të rezervuara dhe ka filluar proçesi i personalizimit nga secili klient. Çdo Bentley Bacalar do të realizohet në repartin artizanal Mulliner ku mjeshtërat anglezë do të realizojnë me dorë çdo detaj jo industrial të makinës.

Çmimi? Detaj i parëndësishëm për këtë model.