na ndiq ne

Bentley Bentayga rinovohet

02/07/2020

Tashmë duhet t’i bëjë ballë konkurrencës së re

20.000 njësi të shitura mund të mos duken shumë, por kur bëhet fjalë për një SUV anglez ultraluksoz, çmimi i të cilit fillon afër kuotës 200.000 euro, atëherë besoj jemi dakord që vlerësimi duhet të jetë më se pozitiv.

Jemi duke folur këtu për Bentley Bentayga, “pionierin” që çeli një segment të ri, atë të luksit superlativ të ngritur në kuotën 4×4. Bentayga ka qenë edhe disi i “përfolur” për vlerën reale të tij. Disa e akuzuan se është një Q7 e “maskuar” me luks, disa të tjerë I dekretuan dështimin si i panevojshëm. Në kohën e sotme sovran është vetëm tregu dhe Bentayga tregoi me fakte se specia e re do të jetojë gjatë.

 Sa pronarë mund të ketë që t’ia bëjë zemra ta futin në baltë apo zhavorr një Bentayga, është një pyetje që këtu nuk na bën shumë punë. Fakti është që Bentley jo vetëm gjeti një mori klientësh për propozimin e tyre, por gjeti edhe një konkurrencë të shtuar përgjatë rrugës. Kujtojmë këtu se modelet Lamborghini Urus (me prerje më sportive), Aston Martin DBX dhe Rolls Royce Cullinan kanë ardhur më vonë.

Bentley Bentayga vjen kështu në fazën e pare të rinovimit, një operacion facelift që të themi të drejtën na duket i arritur. Ndryshimet janë më të dukshme në pjesën e pasme, ku spikasin fenerët në formë ovale, për t’iu bashkuar design-it aktual të modelit sportiv Continental, por modeli i ri është pasuruar mjaft edhe në detaje. Dritat e para psh ngjajnë më shumë me dy stoli të çmuara të një koleksioni prej sheiku.

Përveç pamjes, teknologjia është gjithashtu e niveleve të larta. Çdo fener është i përbërë nga 82 dioda të ndritshme të cilat përshtasin ndriçimin sipas shpejtësisë dhe pranisë së makinave të tjera në rrugë.

Në përgjithësi Bentayga e re ka një pamje më të freskët, falë edhe disa detajeve të reja si fenerët që përmendëm, rinovimi dhe pozicionimi më lart i dritave të para, rinovimi i gojëzave të ajrit poshtë maskerinos, etj. Risitë vijnë edhe për ambjentin e brendshëm, ku gjejmë edhe pjesën më luksoze. Për të gjithë ata që prisnin me padurim, tani mund të gjeni edhe punimet me dru akaçia ose dru arre përveç detajeve në alumin. Konfigurimet vazhojnë me 4, 5 apo 7 vende dhe tashmë pasagjerët e pasëm mund të kontrollojnë funksionet e ngrohjes dhe të masazhit, perdet apo muzikën nëpërmjet një tableti të posaçëm.

 Rinovohet pjesa multimediale e infotainment, tani me një ekran të ri dhe ndërlidhje të përmirësuar. Për herë të parë, marka angleze ofron ndërlidhje të plotë edhe për telefonët android (më parë ishte vetëm për Apple).

Nuk ndryshojnë motorët. Njësitë janë 4.0 kubikë V8 me 550 kuaj fuqi, W12 me njësinë 6.000 kubikë dhe 608 kuaj fuqi dhe versioni hibrid me 450 kuaj fuqi.