Bentley Bentayga hibrid
Harxhon më pak se një Smart
“Sa harxhon kjo makinë?” – ka qenë dikur një ndër refrenet kryesore në Shqipëri dhe në fakt mbetet ende një ndër pyetjet kryesore për shumicën e makinave që qarkullojnë. Logjikisht, për shumicën e xhepave, konsumi i makinës është një shqetësim i përditshëm për shumicën dërrmuese të automobilistëve.
Në këtë kontekst ka natyrisht disa përjashtime, kur vlera e një makine karakterizon edhe pronarin e saj dhe kur qartësisht konsumi nuk është në listën e shqetësimeve. Bentley Bentayga (lexo këtu artikullin e plotë), Suv-i ultraluksoz anglez është një ndër këto makina, e megjithatë, na propozon këtu një version të veçantë: modelin hibrid të llojit “plug-in” thënë shqip: me karikim nga rrjeti elektrik.
Disa mund të bëhen menjëherë skeptikë se përse nevojitet diçka e tillë, për një makinë me çmim fillestar 140.000euro. Së pari, në Bentley mund të jenë të ndjeshëm ndaj mjedisit dhe një makinë që ndot më pak është një gjë e mirë. Së dyti edhe Bentley, si çdo prodhues tjetër, duhet të bëjë llogaritë me normativat antindotje që bëhen gjithmonë e më të serta. Së treti dhe ndoshta më e rëndësishmja, një model me rendiment më të mirë sesa versionet me djegie të brendshme është edhe një mënyrë për të treguar “muskujt” dhe për të bërë urën lidhëse me elektrifikimin 100% ende larg për të gjithë.
Objektivi i prodhuesit anglez është që të ketë të paktën një version hibrid për çdo model.
Si është Bentley Bentayga hibrid? Nga jashtë dhe nga brenda është njëlloj me versionin normal që ne e kemi trajtuar me në artikull të plotë më parë (kliko këtu për prezantimin e modelit). Kur xhiron çelësin e kuadrit, pardon, kur shtyp butonin start, ndryshimet janë të dallueshme në ekranin dixhital, me informacionet mbi gjendjen e baterisë, autonominë në ecje vetëm elektrike, etj.
Në këtë të fundit, Bentayga mund të bëjë deri në 39 km duke konsumuar zero litra. Në këtë rast, 6 pistonët që gjenerojnë mbi 300 kuaj fuqi janë të panevojshëm. Motori elektrik arrin të prodhojë 128 kuaj fuqi dhe një moment rrotullues prej 400 Nm. Bateria e përdorur për këtë fuqi ka një kapacitet prej 13 kWh dhe vë në lëvizje një motor elektrik sincron të prodhuar nga kompania italiane Magneti Marelli. Pr karikimin e baterisë nevojiten 2.5 – 7.5 orë, kjo e fundit nga rrjeti i shtëpisë.
Duke mos harruar që Bentley Bentayga, si çdo model tjetër i prodhuesit anglez është edhe një supermakinë në performancë. Fuqia totale e njësive motorike është 440 kuaj fuqi, shpejtësia maksimale është 254 km/h ndërsa koha 0-100km/h është vetëm 5.5 sekonda. Jo keq për një makinë që peshon mbi dy tonë, që konsumon mesatarisht (sipas prodhuesit) 3.5 litra/100km dhe ka një autonomi deri në 750 km.