na ndiq ne

Automotive Dialog: partneritet dhe vizion i zhvillimit afatgjatë

18/11/2017

Duket se Shqipëria mund të jetë një vend atraktiv dhe kompetitiv me kontribut të rëndësishëm në prodhimin e automjeteve. Jo në kuptimin e mirëfilltë natyrisht, kjo do të ishte e pamundur në vendin tonë, por në Shqipëri mund të zhvillohet industria furnizuese e këtij sektori. Nëse ka vite që operojnë me sukses prodhues të shumtë këpucësh në Shqipëri (për të marrë një shembull konkret), atëherë prodhimi i veshjeve të sedijeve ose prodhimi integral i tyre mund të duket si gjëja më afër mendjes.

Automotive Dialog ishte titulli i eventit që u zhvillua ditën e enjte në ambjentet e Tirana Business Park organizuar nga Diha (Shoqata Gjermane e Industrise dhe Tregtise) i cili kishte në fokus disa tema të rëndësishme të cilat prekin sfidat dhe potencialin e mobilitetit elektrik në Shqipëri, identifikimin e vendit të përshtatshëm për prodhimin e pjesëve përbërëse të makinave, riciklimi në industrinë automotive si dhe problematikat e tregut të makinave të reja.

Pavarësisht se vendi ynë, duket se mund të ketë më shumë prioritet turizmin apo bujqësinë, një tryezë e tillë diskutimi mbetet interesante për dy arsye: së pari në këtë drejtim vendi ynë mund të tërheqë investime të rëndësishme dhe së dyti, një nga drejtimet më të afërta ku industria e makinave po orientohet, mbetet ende e shurdhët në Shqipëri: flasim për trasnportin elektrik. Me sa duket këto tema nuk i janë dukur interesante përfaqësuesve të qeverisë sonë (të ftuar në këtë event), se ndryshe nuk shpjegojet mungesa e tyre.

 

Eventi moderohej nga prezantuesi i mirënjohur Blendi Salaj, i njohur edhe për qendrimin e tij aktiv në çështje ambientaliste.

Ndër të tjera, na duket me vend të veçojmë dy momente nga ky takim.

Së pari, Porsche Albania, në rolin e një ndër sponsorëve kryesorë, dëshmon ndjeshmëri dhe përgjegjësi ndaj një zhvillimi të qëndrueshëm të sektorit automotive në vendin tonë. Në fjalën e z. Gentian Bushati, CEO i Porsche Albania, identifikohen dy çështje kyçe që duhet të shihen me prioritet parësor nga qeveria. Së pari duhet rregulluar paradoksi legjislativ sipas të cilit çdo makinë e re në Shqipëri duhet t’i përgjigjet normativës Euro6, ndërsa makinat e përdorura nuk duhet të respektojnë asnjë kriter. Akoma më shqetësues ky fakt bëhet nëse mendojmë se për çdo makinë të re, hyjnë 14 makina të përdorura ku shumica janë të vjetra! Nëse nuk ka një reagim në këtë drejtim, Shqipëria do të bëhet varreza e madhe e makinave për gjithë Europën.  

Së dyti, shërbimet e nevojshme për mirëmbajtjen dhe riparimin e makinave janë thuajse alarmante. Mungesa e kritereve të liçensimit e bën këtë sektor potencialisht të rrezikshëm për sigurinë në rrugë. Një makinë e riparuar me pjesë “fallso” është një makinë e pasigurtë dhe si e tillë e rresikshme. Porsche Albania ndërkohë është një pionier në makinat elektrike në Shqipëri dhe mundësoi për kuriozët një “inspektim” nga afër të modeleve elektrike eGolf dhe eUp si dhe një xhiro të vogël prove, për t’iu dhënë mundësinë të gjithëve t’i provojnë makinat elektrike.

Një tjetër prani interesante në këtë event ishte kompania Say Taxi e cila ka ndërmarrë një iniciativë të përgëzueshme: konvertimin e taksive të vjetra me naftë në taksi elektrike, 100% të pastra dhe miqësore për ambjentin, përveç se ekonomike për vetë taksistët. Një aplikacion për smartphone për publikun ku mund të thërrasësh taksinë kur të nevojitet, një platformë për taksistët e pavarur dhe një iniciativë konkrete për kufizimin e ndotjes janë disa nga pikat kryesore të cilat do t’i kishin zili kudo në Europë.

Këto iniciativa interesante dhe të tjera që u folën në këtë event, kanë nevojën e pazëvendësueshme të përqafohen dhe të mbështeten në maksimum nga çdo hallkë qeveritare pasi sado pionierë apo krijues të kemi, nuk do të mund të bëjnë asgjë nëse nuk do të ketë një vizion të qartë nga shteti. Asnjë nuk do të blejë makinë elektrike nëse nuk ndërtohet infrastruktura e nevojshme. Karikuesit e Porsche Albania apo të SayTaxi nuk do të mund të mbulojnë nevojat e mobilitetit elektrik në Shqipëri dhe në këto kushte do të mbetemi edhe një herë prapa botës së elektrizuar, ose më mirë, të qytetëruar.