Audi RS Q8 vazhdon testimet
Audi vazhdon testimet e versionit sportiv RS Q8. Habia qëndron në faktin se ekzemplarë të kësaj risie janë parë në vende të ndryshme dhe së fundmi në pistën e famshme gjermane Nurburgring, thuajse fare të zbuluar, pra të pamaskuar.
Çfarë do të thotë kjo nuk dijmë ta themi me siguri, por imazhet flasin qartë mbi sa po përgatit për treg prodhuesi i “katër unazave”.
Vetë Audi Q8 vjen në treg si një coupé që përfaqëson versionin sportiv të SUV-it më të madh Q7. Ndërkohë që në treg nuk mungon versioni S Q7 pra versioni sportiv me naftë, RS Q8 pritet të jetë një version edhe më ekstrem dhe më i pasur në detaje dhe teknologji.
Kjo së pari përfshin një version të fuqishëm me benzinë përveç detajeve të tjera që huazohen apo frymëzohen nga “kushërinjtë” Lamborghini URUS apo Porsche Cayenne. Në fakt njësia motorike (ende për konfirmim zyrtar) do të jetë motori 4.000 kubikë, me tetë cilindra në formë V-je, biturbo dhe 600 kuaj fuqi. Ok, janë 50 kuaj fuqi më pak se çfarë ofron Lamborghini Urus, por mos mendoni se janë pak. Nga ana tjetër, RS Q8 do të marrë nga URUS shasinë dhe shumë detaje teknologjike dhe mekanike.
Krahas motorit, RS Q8 do të ketë disa optimizime aerodinamike ndërsa struktura do të jetë e përforcuar krahasuar me njësinë “e zakonshme”. Kjo rrezikon t’i shtojë pak peshën, por nga ana tjetër do të garantojë më shumë stabilitet dhe siguri.
Impianti i frenimit është rishikuar për të qenë në lartësinë e duhur të këtyre niveleve të perfomancës dhe mund të porositet edhe me disqet e frenave në material të përbërë me karbon dhe qeramikë.
Shasia me siguri do të jetë “aktive” për t’iu përshtatur sa më mirë guidës sportive nëpërmjet përzgjedhjes së programit apo përgjigjes automatike nga kompjuteri i bordit.
Pamja e jashtme? Sikur të mos mjaftonte vetë design-i prej Coupé-je i Q8-ës, teknikët kanë vënë dorë edhe këtu: pamja ballore është agresive me maskerinon e ridesign-uar dhe gojëzat e ajrit të zmadhuara.
Nga mbrapa dallojmë një spoiler (bisht) që përmirëson aerodinamikën dhe thekson sportivitetin ndërsa marmitat përfundojnë me tuba shkarkimi në formë vezake, tipar dallues i versioneve RS.
Çmimi? Ende shumë shpejt për këtë, por nëse RS Q8 ngjason dhe merr nga Lamborghini Urus, mos kujtoni që nuk do ta bëjë këtë edhe nga ana financiare 😊