Audi Q7 rinovohet
Audi Q7 erdhi në panoramën automobilistike në vitin 2005 si një model autoritar i prodhuesit nga Inglostad, ku me përmasat e bollshme deklaronte haptazi edhe synimin përtej oqeanit.
Gjenerata e dytë, e lançuar në vitin 2015, është tashmë në vitin e saj të katërt dhe në momentin më të përshtatshëm për një “operacion” tradicional të quajtur facelift. Në këtë rast, nqs nuk je i mirëinformuar, versioni i përditësuar ngjan më shumë me një model të ri sepse ndryshimet janë të shumta dhe mbi të gjitha, të dukshme.
Si fillim maskerino merr trajta gjeometrike të gjeneratës së fundit të modeleve më moderne si A8, A7, Q8, etj. së bashku me fenerët që kombinojnë teknologjinë Led me Lazer. Profili është më atletik me disqet sportive dhe mbrojtjet plastike të parafangove ndërsa pjesa e pasme është e rifreskuar me një pamje më moderne ku spikasin fenerët e ngushtë led, vijën e kromuar që i bashkon dhe tubat e shkarkimit të gazrave, të evidentuar dhe kromuar, ndryshe nga shumë makina aktuale ku gjejmë imitacione plastike (pa kuptim).
Nëse jashtë rinovimi është më i dukshëm, brenda gati gati ndryshimi është rrënjësor. Kruskoti i ri sjell design-in dhe luksin e një A8 të përshtatur në një strukturë më të lartë vertikalisht, por me shumë hijeshi. Modernizmi është më se aktual me tre ekrane dixhitale: kuadri 100% digital, e thënë në gjuhën e Audit-t një virtual cockpit i modernizuar që përfshin si gjithmonë funksionet e integruara të navigatorit dhe shumë funksione të tjera. Ekrani i dytë është ai i infotanment, me përmasa 10.1”, i vendosur në qendër të kruskotit me funksionet multimediale, navigator, etj. Ekrani i tretë është i vendosur pak më poshtë, është pak më i vogël 8.8” dhe shërben për komandat e klimatizatorit.
Ky version i modernizuar i Q7 do të jetë i pajisur me motorizimin mild hybrid (hibrid i lehtë) i bazuar në motorin 3.0 turbodiesel me fuqi 286 kuaj dhe me një motor elektrik shtesë i cili ka një funksion të “zgjuar”: në shpejtësitë midis 55 dhe 160 km/h, nëse lëshohet pedali i gazit, motori elektrik mundëson ecjen në shpetësi konstante duke fikur motorin kryesor dhe duke mundësuar kështu edhe kursim karburanti.
Më shumë informacione do të vijojnë, së bashku me çmimet zyrtare për tregun shqiptar dhe një test drive ku do të zbulojmë të gjitha sekretet e Q7 së re.