na ndiq ne

Audi Q5 rifreskohet

07/07/2020

Një motor i vetëm në debut

Prodhuesi nga Ingolstad, katër vjet pas debutit, vendos të rinovojë modelin SUV Q5. Gjenerata aktuale është prezantuar për herë të parë në 2016 dhe projektuesit e Audi-t panë me vend një rifreskim në gjysëm të ciklit të jetës ose “facelift” siç quhet shpesh në zhargonin automobilistik.

Rinovimi, si gjithmonë në këto raste, përfshin ndërhyrje në maskerino, për të bërë më mirë dallimin me modelin që zëvendëson dhe Q5 e re ndryshon për të ardhur në linjë me design-in aktual të modeleve të tjera në familje. Maskerino e re bëhet tetëkëndore, ka një formë disi më të shtypur krahasuar me modelin paraardhës dhe “ndahet” nga fenerët nga një shirit i hollë në ngjyrën e karrocerisë.

Elementët e brendshëm tani nuk janë më në vija të kromuara, por kanë një formë më të përpunuar, demonstrim i një design-i të kujdesshëm që integron rombe të vegjël të distancuar si elementë të një numratoreje.
Modeli i ri është 1,9 cm më i gjatë, por kjo nuk duhet të ndikojë në hapësirat e brendshme përderisa distanca ndërmjet dy akseve mbetet e pandryshuar. Nga brenda rinovimi është kryesisht teknologjik dhe përfshin një sistem të ri multimedial dhe zhduket rrotulla e komandimit. Tani çdo gjë është me prekje.

Një funksion interesant i këtij sistemi të ri është ndërlidhja “Car-to-X” i cili sugjeron shpejtësinë që makina duhet të ketë për të kapur me dritë jeshile semaforët që paraprijnë. Një informacion i tillë në Tiranë natyrisht nuk ekziston ende, por nuk është një sekret që Gjermania është përpara nesh. Apo jo? 🙂

Motori i ri dhe i vetëm me të cilin prezantohet Q5 e re është njësia 2.0 TDI, pardon, 40 TDI, në gjuhën e Audi-t, me fuqi të rritur në 204 kuaj. Ky motor integrohet me teknologjinë hibride të butë (mild hybrid) i cili optimizon funksionimin e përgjithshëm të makinës me fokusin kryesor tek konsumi dhe ndotja.

 Nën shpejtësinë 22 km/h, në ecje inercie ose ngadalësimi, motori termik fiket për të kursyer karburant.
Nga ana tjetër, ky motor garanton një performancë të mirë me një moment rrotullues të bollshëm, 400 Nm dhe një kohë 0-100 për 7.6 sekonda.