na ndiq ne

Audi Q4 e-tron

14/02/2019

 

Prodhuesi gjerman i “katër unazave” duket se po vazhdon të ecë me shpejtësinë e premtuar në teknologjinë e re të mobilitetit elektrik. Sipas një plani të shpalosur disa kohë më parë, Audi ka pohuar se deri në 2025 modelet elektrike do të jenë plot dymbëdhjetë. Pas debutit të modeleve “E-Tron” (kliko këtu për artikullin), “E-Tron GT” (kliko këtu për artikullin) dhe Audi PB 18 e-tron (kliko këtu për artikullin) ku kemi parë ndër të tjera edhe “zhdukjen” e pasqyrave anësore, Audi bën gati të prezantojë për publikun Suv-in e dytë elektrik, të pagëzuar Q4 e-tron. Prezantimi do të bëhet në sallonin e Autos që do të zhvillohet në Gjenevë, në periudhën 7-17 mars.

Data e saktë e debutit në konçesonarë është ende e pasaktësuar, por dijmë që do të jetë diku midis fundit të 2020 dhe fillimit të 2021.

Nga pamjet e ofruara për mediat e sektorit, Q4 e-tron premton të jetë një Suv me karakter sportiv dhe look modern. Fenerët janë të hollë dhe goxha “përpjetë” duke lënë vendin dominant maskerinos që vazhdon të jetë “single frame”. Gojëzat e ajrit poshtë fenerëve janë një element tjetër karakteristik, në gjurmët e modelit të parë E-tron.

Sipërfaqja e xhamave në profil duket të jetë reduktuar në favor të një pamjeje sportive, të përforcuar nga parafangot muskuloze.

Mendojmë se ky model do të përdorë platformën MEB, e cila është skeleti i grupit Volkswagen për modelet elektrike, por ende ky informacion nuk është zyrtar.

Në kompleks, mund të themi që ky model premton shumë nga ana teknologjike ndërkohë që ne presim përmirësime edhe nga ana e autonomisë, duke qenë ky model, teorikisht, më i lehtë se “vëllai” E-tron. Thënë kjo, Shqipëria mbetet një vend mjaft i përshtatshëm për mjetet elektrike, duke qenë mjaft i vogël në distanca krahasuar me fqinjët përballë nesh apo me vende të tjera si Gjermania apo Franca. Problem serioz ama në vendin tonë është rrjeti i karikimit për këtë teknologji të re, ende i pazhvilluar, por që me pak “mund” dhe me një projekt serioz, mund të bëhet një alternativë e mirë e makinave me motor tradicional.