Audi Q3 i ri
Prodhuesi i katër unazave është në një proces të vazhdueshëm rinovimi të modeleve të tij. Nga një bilanc i shpejtë, njëri nga modelet kishte “mbetur” ende pa u njësuar me desig-in e ri por edhe me gjeneratën e re teknike dhe teknologjike. Cili është ky model? Nese nuk e keni gjetur ende, bëhet fjalë për modelin Q3, i cili rinovohoet, duke u përmirësuar ndjeshëm krahasuar me modelin paraardhës.
Dallimi më i dukshëm, ai që të godet menjëherë ka të bëjë natyrisht me design-in e jashtëm. Maskerino i bashkohet tipareve stilistike të modeleve të fundit që kemi parë, duke filluar nga modeli i ri i luksozes A8. Fenerët kanë forma të mprehta dhe një pamje teknologjike, një prezantim i denjë për teknologjinë Led dhe Matrix Led.
Në profil, Q3 i ri, ndryshe nga linjat buta dhe të rrumbullakëta të mëparshme, tani është më i përpunuar dhe sidomos, më muskuloz, duke e bërë kështu në model të përshtatshëm edhe për një klientelë mashkullore. Në pjesën e pasme fjalën e kanë fenerët Led të cilët “koreografinë” e vërtetë e tregojnë më shumë natën sesa ditën.
Përmasat e modelit të ri janë rritur me gjatësinë që tani shkon në 4.48 metra (10cm më shumë se modeli i vjetër), 1.84metra gjerësi (2cm më shumë) dhe një distancë ndër akse 2.68metra (8 cm më shumë) që premton më shumë hapësirë në bord. Bagazhi shkon nga 530 litra në kushte normale, deri në 1.525 litra me sediljen e pasme të palosur.
Dera e bagazhit hapet edhe me një lëvizje të këmbës nga poshtë parakolpit të pasëm, zgjidhje jo e re, por shumë e dobishme kur jemi duke shkuar drejt makinës me duart e zëna.
Nga brenda “revolucioni” është gjithashtu i prekshëm. Kryefjala, si në çdo Audi, është teknologji, e shprehur në këtë rast me një kuadër 100% dixhital që quhet virtual Cockpit. Infotainment bazohet në sistemin Audi MMI (multimedia interface) dhe komandohet nga ekrani me prekje me përmasa 8,8” në versionin bazë ose 10,1” opsional.
Sistemi më i avancuar ofron funksionet e navigatorit, shërbimet Audi Connect, që parashikojnë furnizim interneti 4G. Në këtë rast, mund të krijohet hotspot në bord për të ofruar shërbimet wi-fi.Informacionet që mund të vijnë në kohë reale mund të jenë mbi trafikun, parkimet, punime në rrugë, etj. (këto të fundit pak të vështira nganjëherë në vendin tonë 😊 )
Paketat Audi Design dhe S-Line ofrojnë veshje cilësore sediljesh në lëkurë, Alcantara dhe një sistem audio nga prestigjiozja Bang & Olufsen, me 15 altoparlanë dhe fuqi 680 Watt. Sistemet Adas (që asistojnë gjatë guidës) janë të njëjtë me ato të modeleve të tjera në familje. Traffic Jam Assist mundëson guidën e automatizuar në trafik, sinjalizimin për ndryshimin e korsisë, parkimin automatik, frenimin e emergjencës, etj.Audi Drive Select është një pajisje opsionale që ofron disa programe guide: Auto, Comfort, Dynamic, Offroad, Efficiency të programuara dhe Individual që është i personalizueshëm sipas kërkesave të drejtuesit.
Motorët që parashikohen në lançim janë me benzinë dhe naftë, me fuqi që shkon nga 150 deri në 230 kuaj fuqi, të gjithë të homologuar sipas normativës antindotje Euro 6d-Temp. Motorët me benzinë fillojnë me versionin më ekonomik 1.5 TFSI me 150 kuaj fuqindërsa me naftë fillojnë nga vëllimi 2.000 kubikë me fuqi 150 kuaj. Në pritje të listës së detajuar të çmimeve, Audi Q3 pritet të vijë në Shqipëri me çmime që fillojnë rreth 30-31.000 euro.