Audi e-Tron Quattro
Ndoshta jo të gjithë e dinë që Audi, si pjesë e një politike më të gjerë të Grupit Volkswagen, do të jetë pararojë në teknologjinë e re alternative të makinave elektrike. Thuajse çdo model Audi i vitit të fundit e në vijim parashikon një version “mild hybrid” që ka për qëllim të optimizojë punimin e motorit me benzinë ose naftë dhe të ulë kështu ndotjen e krijuar nga këta motorë.
Por përveç kësaj teknologjie, progresi i vërtetë tregohet tek makinat 100% elektrike, atje ku duket sikur Tesla ka vendosur tashmë një flamur si për të shënuar territorin. Pa shumë zhurmë, por me hapa të sigurtë e të qetë, edhe prodhuesi i “katër unazave” duket se është gati dhe do të tregojë me fakte që asnjë konkurrent nuk mund të ndihet i qetë në asnjë drejtim, përfshirë këtu edhe markën amerikane. Jo më kot, Audi ka zgjedhur sloganin “Vorsprung durch Technik “që në shqip do të përkthehej “Pararoja e Teknologjisë”.
Audi E-Tron Quattro, modeli i ri SUV është makina e parë e serisë elektrike e prodhuesit gjerman e cila do të jetë e gatshme për shitje brenda 2018-s. Sic mund të konstatohet nga fotot, modeli është ende në versionin e maskuar, deri në momentin e inaugurimit. Ky model është shumë i rëndësishëm për markën nga Ingolstad, jo vetëm sepse bazohet në një platformë specifike për modelet me bateri por edhe për disa të përbashkëta me Coupé-në luksoze A7 Sportback (kliko ketu per artikullin mbi A7) dhe sedanin luksoz A8. Risi ekskluzive është që ky model mund të porositet edhe pa pasqyra të jashtme: dy telekamera të holla në vend të pasqyrave me dy ekrane 7” HD në pjesën e brendshme të dyerve duket se zëvendësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së makinave.
Telekamerat në vend të pasyrave ndihmojnë në përmirësimin e aerodinamikës dhe të efiçencës së makinës në përgjithësi. Ekranet e brendshëm janë të tipit Oled (teknologjia e përdorur në smartphonet modernë) dhe mund të personalizohen në varësi të preferencave të shoferit, i cili mund të rrisë apo zvogëlojë zoom-in për të modifikuar fushëpamjen. Nëpërmjet sistemit multimedial do të jetë e mundur të seleksionohen tre vizualizime të ndryshme për të patur pamjen më të mirë në: autostradë, në kthesa dhe gjatë parkimit. Ekraneve të telekamerave mund t’i shtohen sistemi i pajisjeve dixhitale, sistemi multimedial dhe sistemi i komandave të klimatizatorit.
Me modelin e-Tron Quattro Audi premton komfortin e një sedani luksoz që do të ketë një distancë të bollshme midis akseve (293 cm, si modeli A7 Sportback) dhe një nivel qetësie akustike do të jetë sipëror në krahasim me modelet e tjera Audi. Sfida e këtij modeli është të çojë në zero të gjitha fishkëllimat aerodinamike edhe nëse kalohet shpejtësia 85 km/h dhe në kabinë mund të bisedohet qetësisht pa patur nevojë të ngrihet zëri falë mungesës së pasqyrave anësore.
Për të gjithë ata që dashurojnë muzikën, Audi ka një lajm shumë të mirë. Ai quhet Bang&Olufsen, sistem audio premium me 16 altoparlantë. Ndër risitë e tjera të Audi e-Tron Quattro 2018 do të jetë edhe një sistem që përdoret nga shtëpia për karikimin e shpejtë të baterisë 75 kWh i cili do të jetë në gjendje ta bëjë një karikim të plotë për vetëm 7 orë.