na ndiq ne

Audi A7 e re

20/10/2017

Audi ka prezantuar dje modelin e ri A7 Sportback i cili vjen tashmë i rinovuar plotësisht sipas drejtimit të ri stilistik të diktuar, ose më mirë të propozuar me versionin e fundit të luksozes A8.

Sipas Audi-t, ky është standard i ri i luksit të kombinuar me sistemet më të avancuara teknologjike, sipas traditës më të mirë Audi.

Nga jashtë A7 e re mbetet e ngjashme me modelin paraardhës dhe vjen me linja të cilat konfirmojnë karakterin sportiv të kësaj coupé-je sportive me katër dyer. Pamja ballore ka në qendër maskerinon e madhe dominante këtu edhe më e gjerë dhe më e ulët se ajo e motrës A8. Fenerët e ngushtë, gojëzat e ajrit evidente, linjat fluide të profilit dhe bishtin e plotë në stil retro miksuar me fenerët modernë Led janë të gjithë elementë i japin një look prej Gran Turismo të vërtetë. Fenerët futuristikë ofrohen në tre versione ku me i evoluari vjen me teknologjinë Audi Laser Light.

Kësaj pamjeje të jashtme i shtojnë agresivitet disqet 21” së bashku me spoilerin e pasëm aktiv i cili hapet automatikisht në shpejtësinë 120km/h. Përdorim masiv i rifiniturave të kromuara së bashku me të paktën 15 tonalitete boje ofrojnë një varietet kombinimesh për të kënaqur çdo kërkesë apo tekë.

Nga brenda A7 paraqet një qendër komandash teknologjike të organizuar në tre ekrane: i pari është ai i kuadrit full digital i cili përmban një ndër sistemet më të mira në treg, Audi Cockpit. I dyti është ai i navigatorit së bashku me sistemin MMI, sistemi audio & entertainment dhe i treti është risia e prezantuar me A8, ku përfshihen thuajse të gjitha komandat e tjera të klimatizatorit, sistemeve të sigurisë, etj.

AI = inteligjencë artificiale. Duke shtypur butonin “AI” mund të aktivizohen sistemet automatike të parkimit. Funksioni mund të aktivizohet duke shtypur butonin para se shoferi të dalë nga makina për ta lënë makinën të vetëparkohet në parkim ose garazhin e shtëpisë, sipas rastit. Për ta rimarrë sërish makinën, nëpërmjet myAudi app, duke mbajtur të shtypur butonin mund të “thërrasesh” A7 dhe ta ndjekësh atë live në cellular deri sa të ndalojë përpara këmbëve (!).

Në total, sistemet e reja që i thjeshtojnë jetën drejtuesit janë 39, të ndarë në tre paketa kryesore: Audi AI parking Package, City assist package dhe Tour assist package. Kujdes, në shumë shtete, ende duhet të përshtaten ligjet për një nivel të tillë teknologjie dhe këtu bën pjesë edhe vendi ynë.

Nga ana e sjelljes në rrugë, A7 është edhe më aktive me timonin që komandon jo vetëm rrotat e para por edhe ato të pasme. Torque vectoring nëpërmjet kontrollit të sistemit ECP garantojnë një shasi reaktive për një eksperiencë guide emocionuese. Amortizatorët janë edhe me ajër dhe ofrojnë 4 lloje gradimesh sipas stilit të guidës dhe kushteve të rrugës.

Tjetër risi e rëndësishme është ajo e motorëve të cilët janë të gjithë “mild hybrid” ku një bateri me ione litiumi është e lidhur me një impiant elektrik 48 volt i cili rekuperon energji gjatë frenimit dhe e ofron atë në momentet kur kërkohet më shumë fuqi duke bërë motorin më performant dhe më kursimtar, jo vetëm për xhepat, por edhe për ambientin.

Motori i parë me të cilin propozohet A7 është 3.0 V6 TFSI i cili ofron 340kf dhe 500Nm si moment rrotullues. Për ta bërë më të qartë, shtojmë se A7 (sipas Audit), sprinton nga 0-100km/h për 5.3 sekonda dhe ndalet në 250km/h të kufizuara me një limitator shpejtësie sipas traditës gjermane.  Kambio është një S-tronic me shtatë marsha i cili kufizon konsumin në 6.8 litra benzinë/100km.