na ndiq ne

Audi A3 Sedan

02/05/2020

Gati seria e re

Pas debutit të serisë së parë sedan prodhuar në Ingolstad në vitin 2013, Audi A3 sedan vjen në serinë e dytë, e cila natyrisht merr gjithë bazën teknike dhe teknologjike nga seria e re e modelit Hatchback A3 (lexo këtu për Audi A3 hatchback).


Modeli i ri është 4 cm më i gjatë se modeli paraardhës dhe 15 cm më i gjerë se modeli hatchback. Me fjalë të tjera, në një sedan të gjatë 4.5 metra përmirësohet hapësira në bord ndërsa bagazhi ruan të njëjtin kapacitet me modelin paraardhës, por sërish mbrohet mirë me 425 litra vëllim.


Design-i i A3 sedan na duket një hap përpara krahasuar me modelin paraardhës. Aty ku modeli i vjetër të jepte një ndjesi sforcimi për të krijuar modelin tradicional mbi bazën e një modeli hatchback, modeli aktual e ka kapërcyer këtë fazë. Duket se 4cm më shumë në gjatësi dhe 2 cm më pak në lartësi kanë mundësuar optimizimin në linja dhe raporte dhe modeli i ri duket më shumë si një A4 i vogël.
Nga brenda nuk ka asnjë ndryshim me versionin me pesë dyer.

Në lidhje me motorët do të gjejmë një gamë të gjerë zgjedhjeje që përfshin çka ofrohet aktualisht nga Audi. A3 Sedan do të ofrohet me motorët me naftë 2.0 me 150 kuaj fuqi dhe dy versione turbo me benzinë 1.500 kubikë me 150 kuaj fuqi, ku njëri prej tyre do të jetë Mild Hybrid, i ndihmuar nga një bateri me tension 48 Volt e cila ndihmon motorin me benzinë në momentet kur kërkohet më shumë fuqi. Sistemi elektrik gjenerator – bateri ofron 12 kuaj fuqi dhe 50Nm shtesë në momentin rrotullues, gjë që ndihmon performancën dhe konsumin.
Audi A3 Sedan planifikohet të vijë në konçesionarë duke filluar nga muaji korrik i këtij viti.