na ndiq ne

Aston Martin prezanton DBX

14/04/2020

Një tjetër Suv superluksoz

 Nëse i hedhim një sy markave të prodhuesve britanikë, në një shikim të parë duket se anglezët luksin e kanë në gjak, së bashku me një “dell” sportiv të rangut të parë.

Logjikisht është e pritshme që secili prej tyre të mendojë një zgjerim të ofertës për të rritur klientelën që bëhet çdo ditë më e vështirë (edhe më konfuze) për shkak të një morie të pafundme modelesh në treg. Aston Martin, në këtë drejtim ka qenë ndoshta shumë i “rezervuar” pasi historikisht ka prodhuar makina sportive me një pozicionim të qartë, por duket që (si të gjithë) nuk i ka rezistuar zgjerimit në segmentin SUV. Ne kemi folur edhe më parë për modelin DBX (atëherë vetëm prototip) që më në fund bëhet gati për klientët e mundshëm. Tashmë klientët e Bentley Bentayga apo Lamborghini Urus duket se do të kenë një mundësi më shumë.

Aston Martin DBX mund të klasifikohet në kategorinë e SUV të mëdhenj me përmasa të bollshme. 5.04 m i gjatë, 2m i gjerë dhe 1.68m i lartë arrin të ruajë një pamje sportive falë kujdesit të designer-ave. Ata kanë arritur gjithashtu të ruajnë edhe detajet që theksojnë identitetin prej një Aston Martin të vërtetë si maskerino e madhe dominante nga përpara apo “bishti prej pate” që të themi të drejtën nuk na duket pika më e realizuar.

Nga brenda spikat një ambjent i kuruar deri në detajet më të imëta me materiale të një cilësie të rrallë dhe asemblime të nivelit artizanal. Druri i përdorur, veshjet në lëkurë ose Alcantara, metali apo xhami i përdorur lënë përshtypje shumë të mirë.

Karakteri teknologjik shprehet me praninë dixhitale në bord dhe një lojë ndriçimi me 64 tonalitete për çdo gjendje shpirtërore. Pavarësisht kësaj, në këtë makinë ekranet Led janë vetëm një element kompletues, por jo kryesori i një ambjenti të brendshëm prej klasi të parë!

Duke qenë një Suv, DBX ofron një bagazh të mjaftueshëm për çdo familje (të pasur). Bagazhi ka një kapacitet minimal prej 632 litrash dhe prodhuesi anglez ofron edhe një seri aksesorësh për udhëtim që nga valixhet e firmosura Aston Martin e deri tek pajisjet për të ushqyer qenin.

Natyrisht që me këtë xhevahir që duhet të kushtojë rreth 200.000euro si çmim fillestar (ende i pakonfirmuar zyrtarisht) jo çdokujt nuk ia bën zemra ta zhurisë në terrene jashtë asfaltit, por Aston Martin garanton se DBX është bërë gati për aventura gjatë 8.000 km të fazës së kolaudimit. Tërheqja integrale kontrollohet elektronikisht në bazë të kushteve të rrugës ndërsa amortizimi mundëson +/-5cm në varësi të guidës dhe rrugës që po përshkojmë.

Motori, një nga pikat e forta të çdo Aston Martin është njësia e kolaufuar V8 4.000 kubikë me origjinë AMG. Fuqia është 550 kuaj në regjimin 6.500 xhiro ndërsa momenti rrotullues është 800 Nm që në regjimin 2.200 xhiro.  Edhe pse kjo “bishë” angleze peshon 2.245 kg, perfomanca është prej makine sportive. Për përshpejtimin 0-100km/h mjaftojnë vetëm 4.5 sekonda ndërsa shpejtësia maksimale është 290 km/h.

Si gjithmonë, prodhuesit e makinave luksoze dhe sportive “harrojnë” të flasin për konsumin. Apo mos ndoshta po mendoni të bëni mëkatin e një impianti gazi?