Alfa Romeo Stelvio
Janë të shumta makinat që tashmë kanë emrat e vendeve të njohura nëpër botë. Prodhues të ndryshëm përdorin emërtime të ndryshme. Sipas konstruktorëve që përdorin emra në vend të siglave, e bëjnë këtë sepse emri i përzgjedhur evokon filozofinë dhe shpirtin e modelit. Është ky edhe rasti i SUV-t të fundit, ose më mirë të parë Alfa Romeo Stelvio. Drejtuesit e kompanisë zgjodhën shtegun legjendar italian për të identifikuar karakterin sportiv të SUV-it Alfa Romeo me karakteristika të spikatura sportive.
Stelvio reagon shumë mirë në rrugë të vështira si me motorin me benzinë, si me atë me naftë. Meritë për këtë gjë kanë kambio shumë e mirë, automatike ZF me 8 marshe, e rregulluar në mënyrë super fine nga inxhinierët italianë. Nga ana tjetër merita është e tërheqjes integrale Q4, e cila privilegjon aksin e pasëm, por mund të ndryshojë raportet sipas nevojës.
Telajo e Stelvios është një nga pikat e saj të forta padyshim. E lehtë, solide dhe kompakte, është një bazë shumë e mirë për të ndërtuar sipër një veturë me veçori dinamike. Në fakt, Stelvio ndërtohet mbi bazën inxhinierike të berlinës Giulia, një veturë me karakter dinamik dhe sportiv, sipas traditës më të mirë Alfa Romeo.
Timoni, si në rastin e modelit Giulia, është i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë në guidë.
Stelvio ofrohet me motor benzine 2.000 kubikë me fuqi 200k dhe 280k, në të dyja variantet me turbo. Motori i naftës është 2.200kubikë me turbo, ofrohet gjithashtu në dy nivele fuqie: 180 dhe 210kuaj.
Versioni më performant është patjetër ai i benzinës me 280kf, por sipas deklaratës së vetë Alfa Romeos, falë një pune të mirë në projektimin e kësaj makine, shpërndarjes së peshave dhe motorëve efiçentë, version i këshilluar mund të jetë edhe ai i naftës me 180kf, si motor me cilësi shumë të mira dhe kosto të ulëta mirëmbajtjeje.