na ndiq ne

Alfa Romeo 1300 GT Junior 1967

03/02/2021

Hiqni kapelen!

Sipas një legjende, një nga njerëzit të mëdhenj të historisë së automobilizmit dikur ka thënë se hiqte kapelen kur përpara tij kalonte një Alfa Romeo. Ky ishte Henry Ford.

Sipas disa historive në fillimin e viteve ’90, në Shqipëri, një Alfa Romeo 33 Imola fluturonte, po nuk ia vlente se harxhonte shumë dhe të gjente belaja me karburatorin!

Me siguri ne nuk dinim më shumë sesa Henri Ford. Madje me siguri mund të thuhet e kundërta për një markë që ndoshta ndryshe nga shumica e prodhuesve të tjerë ka ditur të ndezë emocione ndër dekada të tëra.

Sot, për hir të kohëve të vështira dhe të cuditshme që po kalon industria automotive, duke shtuar këtu edhe një menaxhim jo të mirë të grupit italian FCA, modelet e Alfa-s janë reduktuar në praktikisht vetëm tre, por në të kaluarën mund të gjejmë disa xhevahire të rralla që meritojnë disa rreshta edhe sot.

Një version i rrallë i modelit 1967 Alfa Romeo 1300 GT Junior është rinkostruktuar nga kompania Alfaholics (në Bristol), që siç kuptohet nga emri, ka një pasion të veçantë për markën italiane me zemrën në qendër të maskerinos.
Kjo Alfa Romeo 1300 GT Junior ka një motor të modifikuar Alfa Twin Spark 2.300 kubikë me benzinë (motori origjinal është 2.0) që pas një përpunimi të gjatë dhe të kujdesshëm arrin të zhvillojë 243 kuaj fuqi. Teknikët e Alfaholics kanë vënë duart gjithashtu edhe në kambio, amortizim, sistem frenimi dhe në kabinë.

Si në çdo përpunim me karakter sportiv, aq më shumë në rastin e një Alfa Romeo 1300 GT, “një dietë lehtësuese” është qendrore. Pesha finale e këtij ekzemplari është vetëm 830kg. Kjo arrihet falë përdorimit të fibrës së karbonit në dyer, kapakun e motorit dhe të derës së bagazhit.
Për të prodhuar ose më mirë rinovuar një ekzemplar të tillë, Alcoholics llogarit rreth 3.000 orë pune.
Sa e shpejtë është kjo Alfa Romeo 1300 GT? Për të shkuar nga 0 – 100 km/h duhen rreth 5 sekonda, por Alcoholics garanton se nuk ka numra që të japin idenë e kënaqësisë në guidë që mund të dhurojë ky ekzemplar.

Nëse tashmë ju lind dëshira për të ngarë një të tillë, duhet të bëni gati rreth 270.000 euro, që është një çmim vërtet i kripur. Megjithatë Alcoholics nuk vuan për klientë dhe në momentin që flasim janë duke bërë listat e klientëve që do të rinovojnë Alfat e tyre gjatë vitit 2021. Nëse keni një Alfa dhe doni ta bëni atë speciale dhe unike, tashmë dini ku të shkoni. Vetëm kujdesuni të bëni eksport provizor sepse në kthim, tvsh për një ekzemplar të tillë do t’ju kushtonte 54.000 euro.