A kujdeseni sa duhet për baterinë?
Disa këshilla për të evituar “të shtyjmë makinën”
Këto ditë të vështira që po kalojmë, shumica e njerëzve janë të detyruar të kenë një përdorim shumë të kufizuar të makinës duke e lënë mjetin të parkuar për shumë ditë pa e ndezur fare atë. Jo vetëm që makinat nuk kanë dobi nga kjo situatë por përkundrazi, dëmet që mund të shkaktohen janë të shumta. Një nga këto me siguri është rreziku i shkarkimit të baterisë. Kjo është e vërtetë sidomos nëse makina juaj është ndër modelet e fundit të prodhuar. Makinat e sotme janë të pasura me shumë sisteme që na lehtësojnë jetën në kushte normale, por që kërkojnë furnizim të vazhdueshëm me korent dhe që e shkarkojnë më shpejt baterinë. Nëse gjendeni përballë kësaj situate, do të thotë që së pari do të duhet të gjeni një zgjidhje emergjente për ta vënë makinën në punë kur t’ju duhet, por duhet edhe të keni kujdes si të veproni për ta rekuperuar baterinë. Le t’i marrim hapat me rradhë.
Nëse bateria e makinës suaj është “dorëzuar” ka vetëm dy mënyra për ta ngjallur makinën tuaj. E para është të lidhni një bateri (nga një makinë tjetër) në paralel. Në këtë rast duhen kavot e posaçme (me ngjyrë të kuqe dhe të zezë) të cilët duhet të jenë me trashësi minimale 10mm, përndryshe rryma nuk do të tejçohet. Duhet të keni parasysh që kapaciteti i baterisë furnizuese duhet me kapacitet të barabartë ose më të madh se ai i baterisë suaj.
Kujdes! Lidhja duhet të bëhet duke lidhur polin pozitiv + të baterisë furnizuese me polin pozitiv + të baterisë suaj. Ky është poli me ngjyrë të kuqe dhe ka shenjën “+” të dukshme diku në pjesën e sipërme të baterisë. Pasi të lidhni polin pozitiv mund të vazhdoni të lidhni polin negativ “-“ me kavon tjetër. Është shumë e rëndësishme të mos ngatërroni polet pasi mund të krijohen qarqe të shkurtra ose “masa” siç i themi në gjuhën popullore shumë të rrezikshme.
Pasi të keni bërë lidhjet sipas udhëzimeve më lart, makina e baterisë furnizuese duhet të jetë e ndezur. Në këtë moment mund të ndizni makinën tuaj dhe menjëherë pas mund të hiqni kavot ndërlidhëse. Në këtë rast duhet të hiqni më parë kavon që lidh polet negative pastaj atë që lidh polet pozitive.
Nëse bateria është në gjendje të mirë do ta marrë veten edhe vetëm me karikimin e dinamos së makinës suaj. Për të bërë këtë makina duhet të punojë në lëvizje për së paku një orë. Nëse bateria juaj nuk përgjigjet mirë ndaj këtij karikimi, atëherë duhet të provoni ta karikoni atë në mënyrë profesionale, duke iu drejtuar një elektroauti, Normalisht, ai do të dijë t’ju thotë nëse bateria juaj ka marrë karikim të plotë dhe në çfarë gjendjeje është. Kujdes, disa profesionistë që edhe shesin bateri të reja, mund t’ju inkurajojnë të kaloni menjëherë në blerjen e një baterie të re. Në këtë rast kujtoni mirë moshën e baterisë suaj dhe llojin e përdorimit të makinës suaj. Nëse sugjerimi për një bateri të re është i arsyeshëm, më mirë bëjeni dhe do t’i kurseni vetes shumë “kasavete” në rastin që bateria e vjetër mund t’ju lerë sërish në këmbë.
Në mbyllje, këshillat që mund t’ju japim janë:
Nëse do të vazhdoni të përdorni sërish rrallë makinën tuaj me rrezikun që bateria juaj të shkarkohet sërish, mund të konsideroni edhe blerjen e një karikuesi dhe ta mbani atë në shtëpi për çdo rast nevoje. Ky mund të jetë një investim inteligjent dhe komod.
Nëse do të duhet të blini një bateri të re duhet të kini kujdes që të bleni baterinë e duhur. Për këtë duhet të konsultoni librezën e makinës suaj dhe më tej të verifikoni çmimet më të mira në treg. Për makinat e pajisura me sistemin “Start and Stop” duhet të zgjidhni një bateri me teknologji EFB (Enhanced Flooded Battery) ose AGM (Absorbed Glass Mat).
Këto bateri përballojnë deri tre herë më shumë ndezje krahasuar me bateritë normale dhe do të rezistojnë më gjatë. Ndryshimi midis llojit të parë dhe të dytë është në përballimin e temperaturës së jashtme. Bateritë EFB përballojnë pa stress temperaturën e jashtme dhe mund të instalohen në zonën e motorit, ndërsa bateritë AGM duhet të rrinë në “fresk” dhe kjo është arsyeja që zakonisht gjenden në zonën e bagazhit ose poshtë sediljeve.
Blerja e një baterie të re nuk është një lajm i mirë pasi kosto e një baterie nuk është e vogël dhe këto kohë lëvizjet me makinë janë të vështira, por fatmirësisht tashmë thuajse çdo gjë shitet online dhe ju mund të blini edhe baterinë tuaj tek një furnitor që jua sjell atë në shtëpi, pa rrezikuar të dilni me makinën tuaj ndërkohë që është e ndaluar nga rregullat e karantinës.
Gjëja e fundit që duhet të keni kujdes është montimi. Nëse keni një makinë të thjeshtë me bateri tradicionale mund ta ndërroni edhe vetë atë, por nëse keni një makinë me sistemin Stop&Start dhe një bateri AGM o EFB, atëherë kjo mund të kërkojë një rregjistrim në sistemin BMS (Battery Management System). Me fjalë të tjera kjo do të thotë që duhet t’i drejtoheni një specialisti, idealisht konçesionarit zyrtar të markës së makinës suaj.