Provuam për ju 7-ën e re nga BMW
Një traget sportiv
Seria 7 është nga ato makina që lë shumë pak hapësirë për diskutim në lidhje me çfarë ofron. Është një makinë që ofron komoditet në nivelin maksimal, hapësirë të bollshme, teknologji të përparuar, mekanikë pa kursim dhe ndoshta dikush mund të gjejë edhe pak “sportivitet” në të.
Përdorim thonjëzat pasi ky concept, në një makinë 5.4 metra të gjatë, është disi relative. Thënë kështu, misioni për të rinovuar një model të tillë, është çdo here sfida më e madhe e një marke, edhe kur bëhet fjalë për kolosin bavarez.
Ftesa për një test drive për këtë model të ri mjaft të diskutuar ishte një burim kërshërie dhe padurimi. Bëhet fjalë për një ndryshime gjeneracional dhe kurioziteti ishte i madh. Ndjesitë që të krijohen kur sheh nga afër 7-ën e re janë të drejtpërdrejta.
Tiparet janë evidente, dominante, por me karakter edhe pse mjaft i veçantë. O të pëlqen, o nuk të pëlqen. 7 e re nuk është makina që do t’i pëlqejë të gjithëve dhe blerësi i saj e kupton këtë gjë që në vështrim të parë. Si pa e kuptuar, syri analizon edhe linjat, përmasat, raportet dhe duket e vështirë të besosh që kjo makinë është e gjatë 539cm. Nqs do të ruanim terminologjinë e modelit paraardhës, ky do të ishte version L, por të themi të drejtën, nuk do të dinim ku të hiqnim ndonje centimetër për të prodhuar një version më të shkurtër.
Ok, hapim derën për të parë më shumë nga brenda. Ulja në këtë “kolltuk” ergonomik ka një impact të butë, si një masazh në uljen e parë. Hapësira është ajo e një sedani luksoz të ketij segmenti, por është tërësisht e rinovuar krahasuar me gjeneratën paraardhëse. Në fakt, kjo është ndoshta BMW më revolucionare nga çdo gjeneratë e çdo segmenti të mëparshëm. E pasur në teknologji dhe detaje, por esenciale, e “thjeshtë” në filozofi, por e plotë dhe e kuruar, ky model është në fakt pak tekanjoz, pak i formuar mes kontraditash.
Më kot të themi që kjo makinë ka izolim të mirë akustik. Me shtypjen e butonit, motori 3.000 kubikë në linjë i versionit Diesel kuptohet që është i ndezur vetem prej lëvizjes së shigjetës së xhiromatësit. Me kalimin në Drive, që në metrat e para ndjesia është ajo e diçkaje të madhe dhe të rëndësishme që po lëviz, si një kryqëzor që ecën mbi rrota.
Përpjekja e projektuesve ka qenë maksimale që 7 e re të jete sa më e izoluar nga çdo gjë, edhe nga asfalti ku shkel dhe mund të konfirmojmë se është një punë vërtet cilësore. Kjo makinë është më e “butë” seç mund të pritet nga një BMW, por çdo lëvizje është më se e kontrolluar, meritë kjo e sistemit Air Suspension (amortizimi me jastëk ajri) që garanton qëndrueshmëri dhe komoditet njëkohësisht. Timoni është preçiz dhe i sigurt në çdo lloj shpejtësie, pavarësisht se është më pak komunikues se një Seri 4 Coupé, siç është dhe normale për një makinë të ketij segmenti.
Kjo është një makinë me “shtyllë kurrizore” që din të vendoset në rrugë, din të vendosë trajektoren, në izolim të plotë. Nqs je një shofer i mirë, e kupton që në metrat e para këtë, nqs je pasagjeri me fat, atëherë do të gjendesh në një business lounge dhe nuk do të kesh as më të voglin shqetësim. Siç në fakt duhet të ndodhë në një trajtim të klasit të parë. Një rol të mire luan këtu edhe aerodinamika, me koefiçent të ulët (0.24Cx), që sjell zhurmë minimale dhe ndikon në konsumin e karburantit, si në versionet me karburant, por akoma dhe më shumë në versionet elektrike. Në 130km/h, qetësia në kabinë është gati gati monotone dhe e mërzitshme.
Motori 3.000 kubikë me naftë i versionit 740d xDrive që ne provuam, zhvillon 300 kuaj fuqi dhe 670 Nm moment rrotullues dhe është i mjaftueshëm për ta lëvizur pa stress dhe me njëfarë zhdërvjellësie 5.4 metrat e Serisë 7. Në fakt 6.3 sekonda për të shkuar nga 0 – 100 na duket një kohë e mirë për një makinë që peshon bollshëm mbi dy ton. Kjo është një performance e mjaftueshme sidomos kur konsiderojmë edhe konsumin e ulët, vetëm 6.2 litra/100km, edhe pse në Europë e më tej, me siguri që syrin klientela e ka tek motorizimet hibride ose elektrike, ndersa më kërkuesit, pa kompromise kanë rezervuar që tani versionin760i xDrive me 544 kuaj fuqi.
Ekranet si iPhone në dyert e pasme që shërbejnë edhe si qendra komandash për funksione të ndryshme krijojnë një efekt të mirë, si për të konfirmuar që teknologjia është në shërbimin tonë. Hapja e dyerve nga brenda me buton është gjithashtu një element gati gati i tepërt, por që pohon trajtimin maksimal që BMW i ka rezervuar klientelës së saj të segmentit të luksit.
Hapësira e bagazhit thotë se kjo mund të jete edhe makina ideale për zhvendosjet e fundjavave familjare edhe në terrene ku tërheqja Xdrive është një siguri e shtuar. Kjo makinë ofron maksimumin e BMW pa asnjë kompromis dhe pasi e provuam në autostrada dhe rrugë me kthesa, mund ta pohojmë se zgjedhja e ketij modeli, siç ndodh jo vetëm brenda familjes BMW, është më shumë çështje emocionesh dhe evokimesh, sesa analizë e asaj çfarë një makinë që ofron gjithçka mund të ofrojë. Të gjithë ata që duan të dallojnë mbi turmën, të bëjnë përpara, tani e kanë një mundësi!