na ndiq ne

Mund të ecin kamionët me whisky?

27/08/2021

Një eksperiment interesant nga Glenfiddich

Skocia është një vend i largët të cilin ne shqiptarët e njohim prej filmit Braveheart dhe me siguri njësoj si pjesa tjetër e botës, për whisky-n e tyre cilësor.

Lidhur me këtë të fundit, vjen një lajm shumë kurioz. Whisky në Skoci shërben jo vetëm si pije, por edhe si karburant për kamionët. Për të shuar habinë, sqarojmë që bëhet fjalë për një nga fabrikat që prodhojnë whisky, saktësisht ajo e Glenfiddich, e cila ka marrë e para nismën e uljes së impaktit mjedisor të ndotjes që vjen nga kamionët që transportojnë whisky.

Sipas një vendimi të parlamentit skocez, të gjitha distileritë skoceze duhet të zerojnë impaktin mjedisor dhe me sa duket ideja që ka lindur në Glenfiddich është gjeniale: të përdorin mbetjet e përpunimit të whisky-t për të prodhuar një gaz me impakt thuajse zero. Saktësisht ndotja është 90% më e ulët se ajo e shkaktuar nga djegia e gazit LPG, i vetmi që përdoret aktualisht në vendin tonë.

Si prodhohet? Karburanti në fjalë hyn në kategorinë e biogazrave dhe prodhohet nga mbeturinat e kokrrave të elbit pas përpunimit për të nxjerrë whisky. Bëhet fjalë për mbeturina që normalisht do të përdoreshin për ushqim për bagëtinë dhe një pjesë për t’u hedhur.

Aktualisht janë tre kamionët e markës Iveco që po eksperimentojnë këtë prodhim të ri ndërkohë që vetëm distileria e Glenfiddich ka njëzetë të tillë. Kur mendohet se së shpejti kjo teknologji do t’i ofrohet edhe konkurrencës, atëherë ndikimi do të bëhet i ndjeshëm.

Sistemi ka nevojë në vijim për një rrjet shpërndarjeje, por kjo është diçka shumë e thjeshtë sepse mënyra e furnizimit është e njëjtë me atë të gazrave LPG apo metan. Nëse eksperimenti ecën mirë dhe konsiderohet me sukses, së shpejti gazi whisky do të bëhet standardi për transportin e whisky-t (atë që shkon në supermarkete dhe dyqane).

Nuk ka ende info të detajuara mbi koston e prodhimit të këtij gazi apo për nevojën e lëndës së parë nëse ky fillon të prodhohet në mënyrë masive, por në rastin e vendit tonë kjo gjetje duket me interes për dy arsye: së pari sepse ne jemi një vend i vogël dhe nëse bëhet një akord me Iveco-n për të importuar kamionë të tillë, atëherë ndotja e shkaktuar nga kamionët do të ulej ndjeshëm.

Së dyti, nga eksperiencat e mëparshme, përdorimi i gazrave në përgjithësi ka qenë më ekonomik se përdorimi i naftës dhe kjo gjë do të ulte ndjeshëm jo vetëm impaktin mjedisor, por edhe kostot e transportit në vendin tonë. Kjo e fundit do të ishte në dobi të ekonomisë sepse me uljen e kostos së transporit do të uleshin çmimet në treg, por edhe të stimulimit dhe rritjes së kompanive që operojnë në shitjen dhe mirëmbajtjen e kamionëve. Këtu mund të përfshihen natyrisht edhe të gjitha kompanitë që kanë transportin një ndër shpenzimet kryesore në biznesin e tyre.