na ndiq ne

Lamborghini Countach LPI 800-4

26/08/2021

Rilindja e ikonës

Për këdo që një makinë sportive është diçka më shumë sesa sasia e kuajve nën kapakun e motorit, ajo që ka më shumë rëndësi është personaliteti dhe “zemra” e saj.

Në të dyja këto drejtime, Lamborghini Countach është një ndër ikonat më përfaqësuese të asaj që një makinë mund të ishte mbi rrota ajo që anija kozmike Apollo 11 ishte për kozmosin. V12, 4.000 kubikë dhe me një design futurist ende në ditët tona, Countach ishte një ëndërr epidemike e varur miliona herë në formën e një posteri që mbante në dhomë i madh e i vogël.

Me Countach lindin disa koncepte gjeniale të arkitekturës së një makine. Nga ana stilistike debutojnë me të dyert me hapje vertikale, element dallues i thuajse të gjitha Lambo-ve që atëherë. Më tej, motori i vendosur mbrapa me kambion diku midis kabinës dhe “pilotit” dhe levën e marshit të vendosur përpara lart, afër me timonin, në njëfarë mënyre, një analogji me industrinë aeronautike, ku kabina e pilotit ka pas shpine pjesën tjetër të karrocerisë, përfshirë motorin, i cili gjendet “në fund”. 

Pikërisht në vitin që përkon me 50 vjetorin e saj, krijuesit e Sant’ Agata Bolognese risjellin Countach, në numër të kufizuar, saktësisht 112 njësi.

E pagëzuar LPi 800-4 kryevepra e Marcello Gandini-t (në atë kohë kryedesigner i studios Bertone) vjen e rifreskuar nga ana stilistike dhe e re nga ana teknologjike dhe mekanike.

Countach e re është makinë sportive, që edhe pse ekstreme në numra dhe moderne në teknologji, sjell një ëmbëlsi dhe një ndjesi të ngrohtë që vetëm makinat sportive të të kaluarës dinë të mbartin (kujtoni që folëm për zemër në fillim të artikullit).

Design është i frymëzuar nga modeli i vitit 1971, por i modernizuar … aq sa duhet, për ta bërë një makinë sportive të 2021, por duke ruajtur në mënyrë të shenjtë ekuilibrin dhe detajet përbërëse.

Gojëzat e ajrit përpara të holla dhe me një rregullsi gjeometrike shprehin frymën vintage, në profil një makinë që duhet të jetë elegante, por që parafangot dhe rrotat gjigante nuk e fshehin dot fuqinë e pazbutur. Ndihmojnë këtu edhe gojëzat e ajrit anësore, element design-i dhe teknik në të njëjtën kohë, ndërsa e pasmja e është e hollë në sy por masive në përmasa, pak përpjetë, siç i ka hije një ikonë bukurie dhe e shoqëruar me elementin karakteristik të katër tubave të shkarkimit pozicionuar në qendër.

Ky monument në rrota ka mbi 800 kuaj fuqi, ku 780 kuaj gjenerohen nga motori termik, një njësi V12, 6.500 kubikë dhe 34 kuaj gjenerohen nga një motor i vogël elektrik i vendosur në zonën e kambios dhe që shërben për të ruajtur “sjelljen” e motorit termik. Motori elektrik nukështë me bateri me lithium, por me superkondensatorë, një teknologji më e përparuar.

Ky kombinim arrin të shtyjë Countach-un për vetëm 2.8 sekonda nga 0-100km/h, 8.6 sekonda për të arritur 200 km/h ndërsa shpejtësia maksimale tejkalon 355 km/h.

Nuk është publikuar ende çmimi zyrtar dhe me shumë mundësi nuk do të publikohet kurrë, sepse 112 pronarët e saj të mundshëm (kaq njësi do të prodhohen) nuk po interesohen më shumë për të sesa për faktin që ta shtinë në dorë.