na ndiq ne

Hyundai Kona N 2.0 turbo 280 kf

30/07/2021

Sportivja që mungonte

Gërma N për modelet Hyundai përfaqëson versionet sportive në modelet e gamës së saj. E kemi parë më parë këtë tek Hyundai i20 dhe i30 dhe në një artikull tonin pak më parë për modelin e ri Hyundai Tucson R Line (kliko këtu për artikullin).

Origjina e gërmës “N” për linjën sportive mund të ketë lidhje me  qytetin Namyang, ku Hyundai zhvillon modelet e saj sportive, por mund të ketë lidhje edhe me Nürburgring, që të gjithë e dimë, është emri i pistës së famshme gjermane, ku Hyundai teston dhe kolaudon këto modele. Modeli i fundit i prezantuar që i shtohet modeleve N është Kona dhe rezultati duket vërtet interesant.

Hyundai Kona N është sportive duket menjëherë edhe nga një sy joekspert. Kjo bie në sy menjëherë që në pamjen ballore, ku sipërfaqet e hyrjes së ajrit janë rritur duke krijuar gojëza të mëdha agresive në stil sportiv, të gjitha me zgarën karakteristike si hoje bletësh.

Në profil gjejmë parafangot e lyera me bojën e karrocerisë ku spikasin në të kuqe (race) pincat e frenave dhe një shirit i hollë në pjesën e poshtme poshtë dyerve. Një pjesë të mirë të punës këtu e bëjnë edhe gomat sportive Pirelli PZero 19” me përmasa 235/40.

Mbrapa bie në sy spoiler-i (ose bishti) i madh dhe i dukshëm në ngjyrë të zezë dhe ripërpunimi i parakolpit në pjesën e poshtme, edhe ky në ngjyrë të zezë ku integrohen dy tubat e shkarkimit, të mëdhenj dhe të kromuar.

Edhe brenda nuk mungojnë detajet që evidetojnë natyrën sportive të Kona N. Mund të përmendim këtu pedalet me design race, sediljet që të rrethojnë anash dhe butonat bojëqielli tek timoni që shërbejnë për të përzgjedhur programet e guidës sportive. Bie në sy (dhe na pëlqen) leva e frenave të dorës, manuale dhe jo elektrike.

Vijmë tani tek pjesa më interesante e Hyundai Kona N. Nën lëkurë gjendet njësia 2.0 turbo me injeksion në gjendje të zhvillojë 280 kuaj fuqi. Fuqi kjo që përkthehet në vetëm 6.4 sekonda për kohën “0-100” ndërsa shpejtësia maksimale është 240 km/h. Ju ra në sy edhe ai butoni i kuq tek timoni? Çfarë mund të ndodhë nqs e shtypni? Me shtypjen këtij butoni, që mban siglën NGS (N Green Shift) aktivizohet një funksion si tip “overboost”-i që rrit fuqinë me 10 kuaj dhe përmirëson ndjeshëm parametrat e motorit për 20 sekonda.

Si në episodet e sagës “Fast and Furious”, Kona “fillon të fluturojë”. Në këtë rast duhen vetëm 5.5 sekonda për të arritur në 100km/h, gjë që e bën Kona N edhe më sportive. Ky efekt zgjat 20 sekonda dhe duhet një periudhë e shkurtër “ftohjeje” prej 40 sekondash për të patur mundësinë ta riaktivizosh. Për ta kontrolluar shkarkimin e fuqisë në tokë mund të aktivizohet funksioni Launch Control. Kambio është automatike e robotizuar me tetë marsha dhe dopio freksion dhe amortizatorët janë me kontroll elektronik si dhe timoni dhe ofrojnë përgjigje të ndryshme në programe të ndryshme guide.

Përveç programeve Eco, Normal, Sport dhe N (sportiv) gjejmë edhe opsionin Custom, ku përdoruesi mund të caktojë vetë gradimin e çdo elementi.

Hyundai N pritet të debutojë në shtator ndërsa çmimet për vendin tonë do të komunikohen së shpejti nga Albanian Motor Company, konçesionari zyrtar ekskluziv i Hyundai-t për vendin tonë.