na ndiq ne

Audi RS3 i ri

24/07/2021

Hatchback apo Sedan?

Që në fillimet e saj, Audi A3 debutoi si një kompakte me karakter dinamik. Në versionin e saj më sportiv, që mbante siglën S3, fuqia e saj ishte 225 kuaj ndërsa momenti rrotullues 280 Nm. Sot, pas 22 vitesh, Audi S3 është kthyer në një ikonë të makinave sportive të segmentit dhe ka bërë mjaft ”stërvitje”.

Rrugëtimi i evolucionit ka sjellë edhe zgjerimin e versioneve të këtij modeli. S3 i cili mund të quhet edhe një “hot hatch”, i shtohet në krah modeli më ekstrem që në Audi mban siglën “RS” shoqëruar me numrin 3, që është emri i segmentit.

RS3 i ri vjen e rinovuar dhe agresive duke shkundur fort konkurrencën me numra të rëndësishëm . Konkurrentët BMW M2 (Competition) dhe Mercedes A45 AMG janë të lajmëruar.

Hatchback apo Sedan duket se do të jetë një zgjedhje e lehtë sipas preferencave, sepse dy modelet nuk kanë asnjë ndryshim tjetër. Për ne, RS3 i preferuar mbetet versioni Hatchback, si një version që shpreh më mirë karakterin dhe ADN e këtij modeli.

Po si është RS3 i ri? Modeli i ri sjell disa risi të rëndësishme, por për një makinë të tillë flasin më mirë numrat, kështu që le të dalim menjëherë në temë. Fuqia është 400 kuaj në regjimin 5.600 xhiro ndërsa momenti rrotullues është 500 Nm, në regjim rrotullimi midis 2.250 dhe 5.600 xhiro. Kjo përkthehet në një kohë spektakolare 0-100 për vetëm 3,8 sekonda. Po le të shohim edhe përtej numrave, sepse për ata që e kuptojnë, një makinë e tillë ka edhe cilësi të tjera përtej fuqisë.

Në Ingolstad na sigurojnë se RS3 i ri është më i mirë në çdo aspekt. Kjo përfshin motorin e njohur me pesë cilindra, 2.500 kubikë TFSI, i cili garanton përtej shifrave garanton performancë të lartë. Një “çentralinë” e re optimizon përgjigjen e pedalit të gazit ndërsa shfrytëzimi i plotë i fuqisë ndihmohet nga funksioni “launch control” i cili mund të aktivizohet në momentin e nisjeve të vrullshme, ndërkohë që për ata që duan të bëjnë një “autograf” në asfalt (vetëm në pistë!), ky funksion natyrisht nuk duhet.   

Shpejtësia maksimale është 250 km/h, e kufizuar elektronikisht, por mund të rritet deri në kuotën 280km/h. Kjo është pjesë e paketës Dynamic RS e cila përfshin edhe frenat me karbon dhe qeramikë.

Kambio është S Tronic me shtatë marsha dhe dopio freksion. Audi thotë se në modelin e ri është përmirësuar edhe zhurma, falë kombinimit të ndezjes së cilindrave në renditjen 1-2-4-5-3 shoqëruar me “hapje të pjesshme” të marmitës dhe (opsionale) edhe sistemi i shkarkimit sportiv RS.

Por te lë vijmë tek një nga thembrat e Akilit, për të cilat Audi është akuzuar shpesh, në drejtim të reagimit të vonuar të timonit, tipike e makinave me tërheqjen përpara (në anglisht understeer ose “sottosterzo” mqs në Shqipëri gjuha e makinave është e huazuar nga italishtja). Kjo gjeneratë e re e Audi-t RS3 sjell sistemin e ri të tërheqjes integrale RS Torque Splitter.

Ky sistem bazohet në dy freksione elektrohidraulike, një për secilin semiaks të pasëm, të cilat janë në gjendje të ndryshojnë në kohë reale fuqinë e transmetuar secilës rrotë, sipas kushteve të rrugës. Në një gjuhë më të thjeshtë, nqs jemi duke bërë guidë sportive (vetëm në pistë) në kthesa, ky sistem i transmeton më shumë fuqi rrotës së jashtme të trajektores, duke korriguar kështu ekuilibrin e makinës dhe duke eliminuar “oversteering” që mund të krijohej.

Në rrugë të drejtë, këto dy freksione punojnë në mënyrë simetrike. Funksionimi i këtij sistemi varet nga mënyra dhe nga përzgjedhja e programeve të guidës që janë shtatë: Comfort, Auto, DynamicEfficiency, RS Individual, RS Performance dhe RS Torque Rear.

Sistemi Audi Drive Select ndikon në përgjigjen e timonit, të kambios S tronic, të amortizatorëve, të motorit dhe të valvulave të shkarkimit.

Nga brenda karakteri sportiv i Audi-t RS3 theksohet nga sediljet sportive dhe nga pajisja e sistemeve Led. Audi Virtual Cockpit ka një paraqitje grafike të dedikuar me disa funksione gjithmonë në plan të parë si temperatura e lëngut ftohës të motorit, të vajit të motorit dhe të kambios.

Ende nuk janë bërë zyrtarë çmimet, por për një xhevahir të tillë, me siguri do të jemi diku midis 55-60.000 euro dhe për një makinë të tillë mund të themi së është i arsyeshëm.