na ndiq ne

Ford Mondeo VS Evos

22/07/2021

Një apo dy modele për Europën?

E prezantuar pak kohë më parë në Shanghai, Evos është modeli crossover elektrik që Ford po përgatit për të pasuruar ofertën e tij të makinave elektrike.

Sipas disa zërave jozyrtarë ende, Ford Evos mund edhe të jetë zëvendësuesi i Mondeos, për të cilin dihet tashmë që pas vitit të ardhshëm nuk do të prodhohet më. Në këtë vështrim, Evos mund edhe të marrë tërësisht emrin Mondeo në Europë, por mund të jetë edhe vetëm varianti Crossover i Mondeos.

Hipotezat janë të shumta sepse nga njëra anë kemi disa informacione zyrtare nga prodhuesi Amerikan, ndërsa nga ana tjetër hipotezat nga tregu shtohen.

Ndërkohë, një model sedan i kamufluar është parë në një prej pistave gjermane ku shpesh modelet e reja kryejnë një fazë kolaudimesh.

Sipas një informacioni dhënë kohë më parë, Ford Evos është një model që ka në fokus tregun kinez, prej kohësh një prej qendrave më të rëndësishme të tregut automotive, por asgjë nuk është e sigurtë ende. Në fund të fundit, Ford nuk mund të lerë bosh një segment ende të rëndësishëm dhe me siguri nuk mund të lejojë të zhduket një emër legjendar si Mondeo, në gamën e modeleve Ford.

Ndërkohë, Evos, nën gjurmët e Mustang Mach E, paraqitet si një crossover i vërtetë, me pesë dyer dhe me një design dinamik të frymëzuar nga një Coupé, sidomos në linjën e profilit.

Nga brenda modeli i ri është një Hi-Tech i vërtetë. Kruskoti ka një linjë të re, ndryshe nga sa kemi parë deri tani. Dy ekranë të mëdhenj Led të montuar në vazhdimësi me njëri – tjetrin janë edhe elementi dominant nga brenda. Mjafton të themi që ai qendrori (i infotainment) ka përmasa 27” dhe ka resolucion 4K, ndërkohë që sistemi multimedial Ford Sync+ vjen në gjeneratën 2.0 dhe mundëson një gamë të gjerë aplikacionesh.

Krahas këtyre elementëve, teknologjia është e rritur edhe nga ana e asistencës në guidë. Blue Cruise, është një paketë teknologjike që mundëson një seri opsionesh që mundësojnë guidën Hands-Free Blue Zones.

Një gjë është e sigurt, Ford Evos do të debutojë shpejt në tregun kinez, ndërkohë që për tregun tonë (europian) ende nuk dimë nqs Evos do të vijë me këtë emër, nën logon Mondeo apo ndoshta mund edhe t’i lerë vendin ndonjë modeli që ende nuk njohim. Me fjalë të tjera duhet vetëm të presim për të zbuluar planet e prodhuesit Amerikan për “kontinentin e vjetër”.