na ndiq ne

Stop aksidenteve

25/06/2021

Kufizoni fuqinë e automjeteve!

Çfarë kanë të përbashkët një Toyota Aygo, një Ford Focus 1.5 TDCi, një Opel Corsa, një Fiat Panda, një BMW 114 1.6 diesel dhe një Audi A3 1.6 TDI?

Ndoshta asgjë tjetër përveç faktit që kanë një fuqi të kufizuar deri në 95 kuaj fuqi. Kjo sepse një nen specifik i kodit rrugor parashikon nën kufirin e rreptë 75kuaj fuqi/ton (të peshës së automjetit) dhe gjithsesi kufirin maksimal 70 kW, të barazvlefshëm me 95 kuaj fuqi, për makinat që mund të ngasin “shoferët e rinj”. Ky kufizim vlen për tre vitet e para të patentës.

Kjo nuk ndodh në Shqipëri, por në një vend të BE dhe është pjesë e një rregulloreje që parashikon edhe kufizime shpejtësie dhe konsum alkoli të lejuar.

Në lidhje me shpejtësinë maksimale, ky nen parashikon që shoferët e rinj nuk mund të tejkalojnë shpejtësinë 100km/h në autostradë dhe 90km/h në rrugët ndërurbane.

Neni specifik parashikon që personat nën moshën 21 vjeç dhe gjithsesi në tre vitet e para të lejes së drejtimit mund të konsumojnë zero alkool. Në lidhje me pikët, një shoferi ri penalizohet me dyfishin e pikëve për ato shkelje që parashikojnë një penalizim të tillë.

Nëse shikojmë disa nga aksidentet e ndodhura në Shqipëri, do të vërejmë se shpeshherë, drejtuesit e automjeteve, përveç shkeljeve të tjera, në disa raste ishin edhe më pak se 21 vjeç dhe ishin në timonin e makinave të mëdha dhe të fuqishme Natyrshëm lind pyetja: kur do ta rishikojmë edhe ne këtë pjesë të Kodit Rrugor shqiptar për të bërë përmirësimet e rastit dhe sidomos për të rritur sigurinë e qarkullimit rrugor për mjetet dhe për këmbësorët?

Një tetëmbëdhjetë vjeçar nuk mund të ngasë një makinë me 300 apo 400 kuaj fuqi e aq më shumë kur një e tillë peshon mbi dy ton. Efektet e dëmeve që mund të burojnë mund të jenë të barazvlefshme me ato të një arme dhe fakt është që në disa shtete europiane për raste të ngjashme flitet për “krime” apo “kriminalitet rrugor”, e shoqëruar kjo me pasojat penale që e shoqërojnë.

Një proverb i vjetër thotë se në situata ekstreme pranohen edhe zgjidhjet ekstreme. Situatat ekstreme ne në Shqipëri ka disa kohë që i kemi në këtë drejtim, mjafton të mendojmë që jemi vendi i tretë në Europë për vdekshmëri nga aksidentet rrugore, kështu që ekstreme ose jo, duhen zgjidhje urgjentisht.