na ndiq ne

Ford F-150 Lightning

19/06/2021

Një “vetëtimë” 4×4

Makina më e shitur në USA debuton me një version të ri. Ford F-150 Lightning (në shqip “vetetim”) është një risi e shumëpritur në tregun amerikan dhe botëror dhe sërish edhe në këtë rast, Ford nuk zhgënjen.

Modeli i ri premton gati 500km autonomi me një fuqi maksimale deri në 526 kuaj në versionin “me autonomi të gjatë”, por le të shohim disa detaje më shumë nga afër.

Ford F-150 Lightning do të debutojë në dy versione. Versioni “standard” do të ketë një autonomi prej 370 km dhe 426 kuaj fuqi, ndërsa versioni me baterinë më të madhe (long range) arrin deri në 482 km autonomi ndërsa fuqia rritet në 526 kuaj. Autonomia në këtë rast do të ishte e mjaftueshme për të shkuar deri në Himarë dhe kthim në Tiranë pa bërë asnjë ndalesë për karikim, ndërsa fuqia është prej makine sportive. Këtë e dëshmon edhe përshpejtimi nga 0-100 km/h, në pak më pak se 4 sekonda. Tërheqja për të dyja versionet është 4×4, e garantuar kjo nga prania e dy motorëve, nga një për secilin aks.

Për karikimin e baterisë mund të përdoren kullat me tension të lartë 150 kW, përdorimi i të cilave në Amerikë thjeshtësohet nga aplikacioni FordPass, i cili garanton akses në mbi 63.000 stacione.

Një alternativë është edhe karikimi nga rryma normale (AC) nëpërmjet të cilit bateria normale karikohet nga karikuesi me fuqi dhe karikon nga 15% deri në 100% baterinë për rreth 10 orë, ndërsa versioni me bateri më të madhe ka një karikues me fuqi 19,2 kW dhe e karikon baterinë nga 15 deri në 100% në rreth 8 orë.

Fuqia e motorit të Ford F-150 Lightning, në terma pune përkthehet në kapacitet ngarkese deri në  900 kg dhe fuqi tërheqjeje deri në 4.500 kg.

Veçori e Pick-up -it amerikan është edhe prania e një hapësire bagazhi në pjesën e parë të makinës (zona e motorit) ku gjejmë jo pak por kapacitet ngarkese prej 400 litrash.

Makina është e pajisur edhe me shumë aksesorë dhe opsione të nevojshme në rrethana të ndryshe. Mund të përmendim këtu kapëse të ndryshme, katër priza elektrike, dy porta USB, 11 priza të ndryshme për pajisje pune, karikim biçiklete elektrike, televizor, etj etj.

Ford F-150 elektrik është i pajisur edhe me teknologjinë e re Intelligent backup power falë të cilës mund të vihen në punë shumë pajisje ndryshme pune. Fuqia e ofruar arrin deri në 9.6 kW dhe sipas Ford është i mjaftueshëm të furnizojë një shtëpi me korent për të gjitha aktivitetet normale për plot tre ditë. Nuk mund të mos mendojmë këtu për të gjitha ato raste kur do të na iknin dritat në shtëpi 🙂

Çmimet për tregun amerikan për Ford F-150 Lightning janë respektivisht 39.974 dollarë (32.753 euro) për versionin standard dhe 49.974 dollari (41.000 euro) për versionin “long range”.