na ndiq ne

Aston Martin V12 Speedster

08/06/2021

Class dhe performancë “Limited Edition”

Aston Martin është nga ato marka që nuk ka nevojë për prezantim dhe që denjësisht, në cfarëdo salloni ekskluziv, do t’ju presin me maxhordomin që ju hap derën. Kjo markë angleze ka ndërtuar ndër vite një imazh të lartë me një mix performance, luksi dhe elegance unike dhe që kanë ngritur emrin anglez në piedestalin e nderit të makinave sportive. Por a ka një kufi se sa mund të kushtojë një Aston Martin?

Psh. Nqs themi se modeli i fundit Aston Martin V12 Speedster kushton më shumë se 870.000euro, a është kjo një shifër reale? Natyrisht kjo shifër do të dukej çmenduri nqs e krahasojmë me një makinë për të cilën na intereson garancia, kosto e servisit, pagesat me këste dhe sidomos “sa konsumon”, por nqs e krahasojmë me bashkëatdhetaren McLaren Elva apo Ferrari Monza SP2, do të zbulojmë se krijesa e fundit angleze është gati gati në ofertë.

Si është Aston Martin V12 Speedster? Një recetë e pakopjueshme me përbërës design-in e fundit Aston Martin përzier me elegancën e trashëguar nga modeli legjendar DBR1, fitues i garave Le Mans në vitin 1959. E ngjashme në disa detaje nga brenda me një DB11, për çdo gjë tjetër, ky model është origjinal në stil, pjesë e një familjeje të pakët në numër (edhe në markat e tjera) që quhet “barchetta” nga italishtja, varkë. Në këtë drejtim ndihmon qartësisht forma e një varke në profil pasi makina është ndër më të sheshtat që ekzistojë, pa mbulesë kabine (pa tavan, pa xhama dyersh e madje pa xham të parë) me një fjalë, 100% e zbuluar.

E kotë të shpenzojmë këtu fjalë për të thënë që kabina është e kuruar nga brenda, që materialet janë ekskluzive, me cilësi, etj etj. Këto janë gjëra që nuk diskutohen në një makinë që mund të tejkalojë vlerën 1 milionë euro duke i shtuar personalizimet.

Mund të themi ama që kjo makinë është ndërtuar sipas kritereve rigoroze të teknologjisë aeronautike dhe që kjo ndjesi është e plotë kur e sheh nga jashtë, ku ulesh në sedilje dhe kap timonin (i pajisur me kokore ose me syzet me llastik pas kokës në stil pilot avioni i paraluftës së dytë botërore ose pilotëve të garave të shpejtësisë në vitet ’30 – ’40. Aerodinamika e studiuar në detaje duket edhe në dy “gungat” pas kokës së shoferit dhe pasagjerit për të krijuar fluiditet maksimal të rrymave të ajrit që kalojnë rreth e qark kokave të tyre.

A ecën? Kjo Aston Martin V12 Speedster ka një motor me muskuj në stil tashmë thuajse antik 5.200 kubikë, V12 i cili “zbutet” në shkarkimin e fuqisë nga një kambio ZF me tetë marsha me tërheqje në aksin e pasëm. Fuqia është 700 kuaj, momenti rrotullues është 753 Nm dhe gjithë kjo shtytje shoqërohet me kufizim “rrëshqitjeje” të rrotave të pasme për të optimizuar çdo shkëputje të makinës. Përshpejtimi nga 0-100km/h është 3.6 sekonda (këtu prisnim diçka më mirë në fakt) ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar elektronikisht në 300km/h. Megjithëse pa kabinë dhe pa xham, Aston Martin garanton se aerodinamika është studiuar që edhe në shpejtësi të mëdha, presioni i ajrit nuk shqetëson shoferin dhe pasagjerin.

Pavarësisht performancës së lartë, kjo Aston Martin është bërë për t’u shijuar më shumë në një rrugë ku ecet me ritëm të përmbajtur, shijon natyrën dhe herë pas here ndonjë parakalim për të cilin kjo Speedster Made in England ka muskuj me tepricë. Ju vjen ndërmend ndoshta Llogaraja apo ndonjë gjarpërim përtej Himarës? Nëse po dhe xhepi jua premton, nxitoni! Nga 88 ekzemplarët e planifikuar për prodhim, më pak se pesëmbëdhjetë janë ende të pashitur, megjithëse janë të paraprenotuar me njerëz që kanë shprehur interes për këtë objekt koleksioni. Me fjalë të tjera vihuni në rradhë, ky është një nga ato momente kur edhe paraja nuk bën punë.