Jaguar E-Type feston 60 vjetorin
Ikona e bukurisë automotive riprodhohet për pak fatlumë
Enzo Ferrari e cilësoi si “makina më e bukur e ndërtuar ndonjëherë”. Makina e “Diabolik” është një nga ato ikona që unanimisht është pranuar si një ndër kryeveprat rralla të ndërtuara nga dora e njeriut.
E prezantuar 60 vjet më parë në sallonin e Gjenevës, prodhuesi anglez ka vendosur të prodhojë 6 ekzemplarë të versioneve Coupé dhe Roadster (cabrio) nga një për çdo dhjetëvjeçar të cilat do të jenë objekti i ri i dëshirave për çdo koleksionist makinash në botë.
Modeli i vitit 1961 kishte disa specifika që e bënin atë unike në shumë drejtime.
Ishte modeli GT më i shpejtë i kohës (me shpejtësi që kalonte 240 km/h), kushtonte sa gjysma e modeleve të prodhuara në mënyrë artizanale dhe kishte një design të paarritshëm ende sot. Eleganca e saj emblematike ishte fryt i punës së inxhinierit Malcolm Sayer i cili trashëgonte nga industria e projektimit të avionëve linjat fluide dhe të rrumbullakëta aq të ëmbla dhe me hijeshi.
Nga ana tjetër din t’i shkelë syrin edhe të apasionuarve pas performancës me një turi të gjatë që nënkupton se poshtë “lëkurës” gjendet fuqia që të gjithë ëndërrojnë. Në fakt poshtë lëkurës gjendeshin tre karburatorë që ushqenin gjashtë cilindra me vëllim 3.800 kubikë dhe një inxhinieri gati gati artistike. Performanca e saj do të ishte e denjë edhe për një Coupé të ditëve të sotme: 265 kuaj fuqi, 241 km/h dhe më pak se shtatë sekonda për të shkuar nga 0-100km/h.
Shasia ishte edhe baza që mbante një kabinë elegante të denjë për çdo gentleman, sado tekanjoz të ishte.
Një makinë e tillë nuk mund të kishte një histori normale prezantimi. Ekzemplari 01 i saj është prodhuar dhe montuar me dorë. U përfundua shumë vonë, aq sa kamioni që do ta transportonte në Gjenevë, ishte shumë i ngadaltë për të arritur në kohë. Cili mjet mund të ishte më i shpejtë se vetë Jaguar E Type për të arritur në kohë për prezantimin? Me sa duket asnjë.
Siç vështirë të imagjinohet për një makinë të sapomontuar, ish-piloti Bob Berry, përgjegjës i komunikimit në atë kohë, vendosi të merrte edhe një herë timonin në dorë dhe të bënte qindra kilometra për ta çuar makinën e sapomontuar në Gjenevë. Jaguar E Type mbërtiti në destinacion 20 minuta para hapjes së panairit. Suksesi ishte kaq i madh saqë për të kënaqur kërkesat e shumta për të provuar Jaguar-in e ri, u desh të sillnin një ekzemplar tjetër nga Coventry.William Lyons, një ndër themeluesit e markës angleze, la porosi të gjenin Norman Davis (një tjetër pilot) i cili duhet të linte çdo gjë që kishte në dorë për të sjellë në Zvicër edhe modelin cabrio. Ekzemplari 02 mbërriti në Zvicër me një shpejtësi mesatare 110 km/h! Pjesa tjetër është historia (e lavdishme) që njohim.
Modelet e prodhuar në kujtesë të 60 vjetorit do të jenë gjashtë versionet Coupé në ngjyrë gri “flat out” (gazi dërrasë si Bob Berry) dhe gjashtë versionet cabrio në British Racing Green “drop everything” (lër gjithçka si Norman Davis).
Përveç karakteristikave origjinale që janë ruajtur me fanatizëm, versionet e 60 vjetorit janë të pasura në detaje si psh. logo “E Type 60”, dekori i tunelit midis sediljeve në inox ku është gdhendur rruga që bënë Berry dhe Dewis dhe butoni i borisë me elementë floriri.
Për këtë model, sidomos edhe nën dritën e kujtesave historike, mund të themi me plot gojën “Bravo Jaguar për këtë makinë dhe histori unike!”