na ndiq ne

Sa i njohim makinat elektrike?

05/01/2021

Le të zbulojmë a jemi gati për to edhe në Shqipëri
Viti 2021 përkon me daljen në treg të shumë modeleve të reja 100% elektrike. Këto duhet të jenë edhe një ndihmesë për tregun automobilistik i cili në vitin që shkoi mbylli një prej bilanceve më dramatike për sa i përket shitjeve.

Ndërkohë, në vitin e ri, ndërgjegjësimi ekologjik së bashku me stimujt financiarë që shumë shtete kanë përgatitur, shpresohet se do të japin një ndihmesë të përgjithshme në ekonomi dhe në impaktin mjedisor. Edhe tek ne, së fundmi heqja e TVSH për makinat e reja elektrike duket se është parë me sy të mirë nga konçesionarët e ndryshëm dhe mendohet se mund të jetë një ndihmesë e parë. Po a jemi gati për makinat elektrike? Le të zbulojmë se cilat janë përgjigjet e disa prej pyetjeve më të shumta që njerëzit kanë mbi këtë teknologji të re.

A kanë kambio makinat elektrike? Makinat elektrike nuk kanë kambio. I gjithë mekanizmi motor – transmetim fuksionon në një mënyrë krejt të ndryshme krahasuar me makinat me motor termik, duke eliminuar nevojën e shumë pjesëve tradicionale jo më të nevojshme. Makinat elektrike nuk kanë as freksion. Motori i tyre është gjithmonë në regjim optimal dhe nuk ka nevojë të “marrë xhiro”. Transmetimi i fuqisë nga motori tek rrotat është i menjëhershëm dhe i pandryshueshëm, dmth pa nevojën e kambios dhe marshave të ndërmjetme.

A kanë nevojë për mirëmbajtje makinat elektrike? Makinat elektrike kanë nevojë për një mirëmbajtje minimale. Ndryshe nga motorët termikë, zinxhiri bateri – motor elektrik është 100% i izoluar dhe për pasojë shumë pak i ekspozuar ndaj mjedisit. Konsumi dhe materialet mbrojtëse (si psh vaji, filtrat, etj) janë të panevojshëm pasi pjesët në lëvizje kanë funksionim të ndryshëm dhe janë pjesë e qarqeve të mbyllura, duke shkaktuar shumë më pak konsum. Lëngu që ndërrohet periodikisht është ai që shërben për ftohjen dhe lubrifikimin. Duhet kontrolluar natyrisht edhe vaji i kambios, gjendja e filtrave të ajrit, amortizatoret, etj, por konsumi i çdo pjese tek makinat elektrike është minimal krahasuar me makinat me motor termik. Edhe vetë mungesa e dridhjeve dhe vibracioneve është një faktor amortizimi më i ngadaltë, përveç se shkak komoditeti më i lartë.

Sa zgjat një bateri? Sipas shumicës së prodhuesve, bateria është një pjesë jetëgjatë. Majfton të mendojmë që garancia e ofruar është zakonisht 8 vjet ose 160.000km. Kjo duhet të jetë faktor qetësie për shumë blerës duke qenë se bateria është një nga pjesët më të shtrenjta të një makine elektrike.

A janë të sigurta në shi apo në kushte lagështire? – Kjo është një pyetje naive për të cilën duhet të ndihen të sigurtë të gjithë “pionierët” e gjeneratës së re. Një makinë elektrike mund edhe të zhytet në ujë dhe nuk do të ketë probleme mase apo të ndonjë lloji tjetër. Bateritë dhe çdo qark elektrik janë më se të sigurt dhe të izoluar në mënyrë perfekte. Bateritë veçanërisht janë të izoluara hermetikisht. Për më tepër, çdo qark elektrik është i pajisur me mekanizëm mbrojtës që “fik” ose stakon një pjesë në rast difekti.

A konsumohet më shpejt bateria me kondicionerin dhe fenerët ndezur? Sigurisht që po. Çdo gjë që funksionon me korent konsumon baterinë, por këto janë gjëra të llogaritura dhe që nuk duhet të shqetësojnë në mënyrë të veçantë në përdorimin e përditshëm. Pak kujdes natyrisht nuk dëmton asnjëherë, por kjo vlen edhe në rastin e makinave me motor tradicional, apo jo?

Çfarë ndodh pasi bateritë dalin jashtë përdorimit? Për momentin nuk dihet mirë se kur vjen ky moment. Prodhues të ndryshëm deklarojnë se bateritë mund/duhet të mendohet të ndërrohen kur zbresin nën kuotën 70% të rendimentit të tyre. Kjo gjë ende nuk është verifikuar në praktikë. Deri tani, nuk janë ndeshur raste të ndërrimit të baterive, sidomos brenda ciklit të jetës së garancisë. Jashtë garancisë, mund të mos jetë më e leverdisshme të ndërrohen bateritë sepse siç e thamë më lart, bateria është pjesa më e kushtueshme e një makine elektrike. Jashtë ciklit normal të përdorimit, pasi makina del jashtë përdorimit, për bateritë e makinave elektrike po mendohen alternativa të ndryshme përdorimi në mjedise të tjera si psh në impiantet me panele diellore, etj.por në këtë drejtim kemi ende rrugë për të bërë.

A riparohen bateritë? Ende nuk njihet një praktikë e tillë. Riparimi i baterive është ende i papraktikuar sepse jemi ende në një zonë relativisht të panjohur, por edhe kjo nuk përjashtohet në një të ardhme të shpejtë. Me siguri do të ishte një ulje kostosh në raste difekti dhe kjo do të përbënte një lajm të mirë për shumë përdorues.