na ndiq ne

Cadillac XT4 e re

17/12/2020

Cilësi dhe siguri, por prisnim më shumë stil

Cadillac, një nga prodhuesit amerikanë më simbolikë edhe përtej oqeanit, ka prezantuar XT4, modelin e ri SUV në segmentin D. XT4 e re ruan disa elementë identiteti me gjeneratën aktuale, mbi të gjitha dritat ditore në formë dhëmbi elefanti që “varen” nga ekstremet e jashtme të fenerëve si dhe në tërësi një frymë disi minimaliste me linja të pastra.

Ruan raporte të mira në tërësi duke dhënë një imazh kompakt, por lë një shije relativisht të varfër. Ndoshta ne në Europë kemi të tjera preferenca, të tjera standarde, me design më të kërkuar (dhe të realizuar) dhe më modern, për të përdorur një fjalë më të thjeshtë. Po në këtë drejtim duket se lëvizin edhe prodhues të tjerë nga lindja e largët.

Mjafton të shohim një Hyunday Tucson apo një Toyota Rav4. Nejse, me pak fjalë, kjo XT4 e re mund të jepte diçka më shumë, pavarësisht se duke e parë nga afër, gjejmë një cilësi premium, të kuruar në detaje, rifinitura dhe materiale.

Nga brenda kabina ofron hapësirë, një ambjent ergonomik dhe meriton padyshim një notë të lartë. Ambjenti duket harmonik dhe teknologjik në të njëjtën kohë me forma dhe linja që integrojnë mirë çdo element. Materialet e përdorur brenda janë cilësorë dhe këtë gjë e shprehin edhe në pamje. Sistemi infotainment komandohet me prekje nga ekrani 8” dhe lidhet me platformat mobile Apple CarPlay dhe Android Auto.

Nga ana e guidës ofrohen tre programe: Tour, Sport dhe AWD. Kjo e fundit ruan konstante tërheqjen 4×4. Ajo që na duket interesante, ndoshta e çuditshme, është që Cadillac ka kërkuar suportin e teknikëve italianë në Torino të kompanisë Global Propulsion Systems (ish pronësi e grupit General Motors) për projektimin e një motori me naftë 2.000 kubikë.

Shumë e pazakontë kjo në kohët që po jetojmë, kur edhe benzina e pashoqëruar me suport elektrik duket se ka jetën e shkurtër. Ky motor është kërkuar enkas për tregun europian, por nëfakt Cadillac nuk është se ka shifra të larta në anët tona. Pavarësisht kësaj, duket se ky motor bën mjaftueshëm mirë punën e tij.

Pajisja teknologjike përfshin njohjen e tabelave rrugore, ruajtjen e korsisë, frenimin automatik të emergjencës, Safety Alert për sediljen e shoferit (vibron në rastin që makina dallon rrezik përplasjeje), head up display, etj etj.   

Për tregun europian, kymodel duket se do të ketë një çmim midis 45.000€ – 50.000€ për një version të pajisur mjaftueshëm me opsione. A do të jetë konkurrues ky model në një treg që dominohet nga BMW X3, Mercedes GLC apo Audi Q5, këtë e kemi vështirë ta themi me siguri, por parashikimet tona nuk janë shumë optimiste.