Opel Corsa-e fiton garën FIA E-Rally Regularity Cup
Opel electric?
Pyetja në nëntitull të këtij artikulli është në fakt një slogan që prodhuesi gjerman përdor së fundmi, por a është kjo e vërtetë? Në Rüsselsheim pohojnë me siguri duke kujtuar planet “elektrike” Opel dhe kjo vlen me sa duket në rrugë dhe në mjedise të veçanta.
Modeli për të cilin po flasim është Opel Corsa-e Rally, modeli i parë rally 100% elektrik. Në javët shkuara, katër ekzemplarë Corsa-e Rally kanë përshkuar jo pak por 1.500km pa as më të voglin problem, sipas informacionit që ofron prodhuesi gjerman.
Elementë si koha e karikimit, km e përshkuar dhe menaxhimi i temperaturës së baterisë u testuan për herë të parë në një mjedis sportiv ekstrem si ai i botës Rally dhe rezultatet ishin të gjitha optimale.
Këto teste kanë objektiv kolaudimin dhe dëshminë se një Corsa elektrike, e cila është baza e versionit Rally, nuk është një model i rastësishëm, por një model qendror në gamën Opel dhe se Opel ka ambicje reale në teknologjinë e re.
Ndoshta këtu bazohet edhe fakti që Corsa-e Rally rezultoi fituese në garën E-Rally Regularity Cup organizuar nga FIA për të promovuar automjetet ekologjike, ku marrin pjesë vetëm makina elektrike. Në kampionatin e këtij viti, edhe pse i shkurtuar për shkak të pandemisë, kompeticioni ishte i vështirë duke patur parasysh faktin që merrnin pjesë pilotë profesionistë nga shtete si Franca, Italia, Spanja dhe Portugalia në drejtim të modeleve të ndryshme nga VW, Renault, BMW, Mercedes dhe Tesla.
Modeli në fjalë, në versionin normal për përdorim vetjak ka një fuqi prej 136 kuaj fuqi dhe një autonomi prej 337 km ndërsa kohët e karikimit parashikojnë deri në 80% të baterisë në 30 minuta nga një kullë karikimi e shpejtë (lexo këtu artikullin e plotë për Opel Corsa-e 2020).