na ndiq ne

Volkswagen Golf R

26/11/2020

Rinovohet trashëgimtari i një traditë të gjatë

Çfarë kanë të përbashkët një Volkswagen VIII dhe një Volkswagen VIII R? Shumë dhe asgjë mund të ishte përgjigjia e saktë edhe pse mund të tingëllojë kontradiktore për dikë.

Nga njëra anë ndajnë shumë gjëra të përbashkëta siç mund të jenë hapësira në bord, përmasat, shasia (ose më mirë telajo). Po çfarë i ndan ato atëherë? Thuajse çdo gjë nëse përmendim këtu terma si performancë apo emocion. Në këtë nivel, Golf R nuk ka asgjë të përbashkët me versionet e tjera normale.
Në fakt në një pamje të parë Golf R 2021 nuk është një makinë e ekzagjeruar, pavarësisht se një sy ekspert nuk mund të mos dallonte disa detaje që bëjnë diferencën si parakolpi i përpunuar, disqet 18” ose 19” (këta të fundit opsionalë) pasqyrat në ngjyrë gri mat apo spoiler-i i pasëm.

Të gjitha këto kompletohen me atë që është ndoshta detaji estetik më sportiv i Golf-it R: parakolpi i pasëm sportiv me në qendër zonën e orientimit të fluksit të ajrit që kalon poshtë shasisë, për t’i dhënë makinës më shumë qëndrueshmëri ndërkohë që katër marmitat janë të vërteta dhe dinë të hungërijnë kur ia kërkon.

Elementë të tjerë që mund të përmendim këtu janë shasia e ulur 2cm, një impiant më i madh frenimi dhe elementë që nuk i sheh syri por që bëjnë diferencën në ecje si sustat e amortizatorëve të përforcuara apo amortizatorët multilink.

Nga brenda, baza është gjithashtu ajo e modeleve të tjera Golf me design-in me forma këndore, mikro-levën e marshit që lëvizet me një gisht, ekranin e infotainment në qendër të kruskotit, etj. Nuk harron ama të tregojë natyrën e tij të “pazbutur” me disa elementë veçantë si pedalet në alumin në stil “race”, sediljet që përfshijnë mbështetëset e kokës në një trup të vetëm apo timoni i “prerë” në pjesën e poshtme.

Këtu spikat butoni R me të cilin aktivizohet programi më ekstrem i guidës i quajtur pikërisht “Race”. Gërma R është edhe një element estetik karakterizues i vendosur me qëndisje në sediljet e para si në modele premium, e kromuar në derën e bagazhit dhe mbi timon siç e pamë më lart.

Nga ana motorike, Golf R i gjeneratës VIII është modeli më i fuqishëm i prodhuar ndonjëherë. 320 kuaj dhe 420 Nm moment rrotullues premtojnë emocion për një Hot hatchback. Në fakt, për të shkuar nga 0-100km/h mjaftojnë vetëm 4.7 sekonda ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar elektronikisht në 250 km/h. Për ata që nuk ngopen me kaq, mund të porosisin paketën R-Performance që lejon të ecësh deri në 270 km/h.

Tërheqja është 4×4, por menaxhimi i një makine të tillë shërbehet edhe nga teknologjia që prodhuesi gjerman ka menduar të ofrojë për ta bërë këtë Golf R edhe më ekskluzive dhe të denjë për të konkurruar me modele si BMW M135i apo Mercedes AMG A 35. Mund të përmendim këtu sistemin 4Motion me funksionin Torque vectoring që drejton fuqinë deri në 100% në rrotën e parë që ka më shumë puthitje me terrenin (=tërheqje) ndërkohë që frenon rrotën tjetër që ka më pak tërheqje. Preçisioni i guidës (për një dorë eksperte) falenderon!

Programet e guidës janë gjithashtu diçka që pasuron eksperiencën në timon. Gjejmë këtu programet Comfort, Sport, Race dhe Individual, dmth e personalizueshme sipas dëshirës. Në paketën R-Performance gjejmë edhe programet që mund t’i quanim gati – gati kapriçio. Quhen Special dhe Drift. Special është specifik për guidë në pistën gjermane të Nürburgring ndërsa Drift ndihmon pilotin të kontrollojë fuqinë në drift-im. Kjo ndodh kur makina fillon të “humbasë” aksin e pasëm dhe fillon të ecë me “rrëshqitje” nëse drift mund të përkthehet kështu 🙂

Sa kushton Golf R dhe kur do të vijë në tregun tonë do të duhet ta zbulojmë pak më vonë, por duket se pritja mund t’ia vlejë.