na ndiq ne

Aznom Palladium

23/11/2020

Ekzagjerim “Made in Italy”

Palladium, për dikë që ka udhëtuar në fillimet e viteve ’90 në Itali, të kujton tragetin që mbante këtë emër dhe udhëtonte nga Durrësi drejt Triestes.

Me siguri në Monza nuk morën këtë gjë për bazë kur emërtuan kështu modelin e tyre të parë, por ky kujtim na duket kuptimplotë kur shohim nga afër modelin Palladium, të markës Aznom, prodhim italian, edhe pse në pamje të parë, Italia nuk është vendi i parë që na vjen ndërmend.

Aznom, emri i markës nuk është gjë tjetër veçse Monza, emri i qytetit ku marka e re ka prodhimin, ndërsa Palladium, nga Paladium, është emri i një minerali të çmuar i përdorur gjerësisht në botën e stolive dhe bizhuterive.

Aznom e ka nisur aktivitetin duke realizuar personalizime unike të klientëve tekanjozë, por që nga 2007 e deri më sot, Aznom është modeli i parë i “prodhuar në shtëpi”.

Palladium është një model i ekzagjeruar jo vetëm në përmasa, por edhe në realizimet dhe personalizimet e brendshme. Me idenë e realizimit të një makine hiper luksoze, një miks midis një SUV-i dhe një Limousine, prodhuesi italian shpreson të shesë rreth 12 ekzemplarë të tillë.

Si është Palladium? Të themi që është realizuar mbi bazën e një Ram 1500, ndoshta e varfërojmë disi dhe në këtë pikë, origjina është më shumë pick-up sesa Suv, por Palladium në fakt meriton të quhet specie më vete. Për ata që po shtrembërojnë fytyrën, i sqarojmë se nuk po e lavdërojmë, por as po e shajmë natyrisht. 

Me siguri ama nuk mund të thuhet se Aznom Paladium është një makinë si çdo makinë tjetër. Kemi të bëjmë me një makinë të ekzagjeruar në çdo detaj. Maskerino gjigande e kromuar, profil masiv (edhe pse i çuditshëm, ose më mirë i pazakontë), rrota me përmasa 22” janë vetëm disa nga elementet që spikasin. Bagazhi nuk ka derë, por një sirtar gjigand hapet për të vendosur valixhet, të prodhuara natyrisht si aksesor origjinal.

Aznom Paladium është e tepruar edhe në përmasa. E gjatë gati gjashtë metra (594cm saktësisht) në kënde të caktuara mund të duket edhe si traget me rrota. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për peshën, 2.650 kg nuk janë pak.

Brenda ama, Aznom Paladium ngjan më shumë me një sallon luksoz sesa me një makinë. Lëkurë e përzgjedhur, dru i stazhionuar dhe punim artizanal në detaje të hollësishme nuk janë kursyer. Diku Paladium duhet ta tregojë veten se nga vjen dhe këtu mjeshtërat nga Lombardia nuk njohin të parë në punën e tyre.

Motori është gjithashtu një njësi e bollshme, e nevojshme për të lëvizur pa stress masën e madhe të Palladium-it. Njësia “made in USA” 5.700 kubukë V8, gjeneron 710 kuaj fuqi dhe një moment rrotullues prej 950 Nm. Për ata që nuk e kuptuan, flasim për një kohë 4.5 sekonda nga 0-100km/h ndërsa shpejtësia maksimale është 210 km/h e kufizuar në mënyrë elektronike. Tërheqja është 4×4 ose vetëm mbrapa, sipas kërkesës, siç është edhe numri i cilindrave, ku për sadopak kursim, mund të përgjysmohet në katër numri i cilindrave kur Palladium është në ecje të qetë. Kambio është automatike me tetë marsha.

Rezultati i përgjithshëm është një makinë ekskluzive, e përpunuar mirë, por që nuk jemi të sigurt a do të mjaftojnë për të blerë një Ram 1500 për një çmim që me siguri do të jetë katër ose pesëfish çmimin që kushton në USA.