na ndiq ne

Albania Motor Company: Vizion dhe pragmatizëm

20/11/2020

Z. Gentian Karaj, Drejtor i Përgjithshëm, na tregon “sekretet” e suksesit

Pandemia e shkaktuar nga virusi Covid 19 ka shkaktuar pasoja të rënda mbi ekonominë tonë, pa kursyer sektorin automotive, që përfaqëson një segment të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Për të mësuar diçka më shumë mbi mënyrën se si mund të përballohej kjo situatë kemi intervistuar Z. Gentian Karaj, Drejtor i Përgjithshëm i Albania Motor Company, një prej konçesionarëve më të mëdhenj dhe me një eksperiencë shumë të gjate në industrinë automotive në Shqipëri me markat Ford, Hyundai dhe SsangYoung.

Z. Karaj, si do ta përkufizonit efektin e situatës pandemike për sektorin ku ju operoni tashmë prej shumë vitesh?
– E gjithë kjo situatë e vështirë në nivel botëror ka patur një impakt drastik dhe të menjëhershëm në ekonominë globale, që ndoshta ka goditur në mënyrë të veçantë edhe industrinë automotive. Në një këndvështrim analitik, ky impakt mund të kategorizohet kryesisht në dy nivele: ndërprerjen e menjëhershme të një pjese të mirë të eksporteve me Kinën, pjesë e rëndësishme e gjithë ekonomisë botërore dhe mbyllje e disa linjave të prodhimit të zinxhirit mekanik të automobilave si në Europë ashtu edhe në SHBA. Besoj se pas kësaj pandemie, bota nuk do të jetë më si më parë. Efektet mbeten gjithsesi për t’u parë. Ajo që vërehet në mënyrë të menjëhershme është aspekti psikologjik dhe shoqëror dhe pa dyshim efekti domino në ekonomi.

Konkretisht, në Shqipëri, ne i ndjejmë këto pasoja?
Në këtë kontekst nuk bën përjashtim as vendi ynë. Në pasojat e ekonomisë globale edhe ekonomia shqiptare u dëmtua rëndë, sidomos duke konsideruar dhe faktin që ne sapo kishim filluar rimëkëmbjen nga fatkeqësia natyrore e tërmetit që goditi vendin tonë në Nëntor 2019. Mendoj që në Shqipëri efektet negative do të jenë edhe më të ndjeshme. Shumë kompani nga të gjitha këto evete të papritura dhe negative janë dobësuar dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe me partneret e tyre. Një situatë e tillë mund të shkaktojë mungesa të theksuara likuiditeti financiar dhe vështirësi në vijueshmërinë e aktivitetit.

Dmth nga tërmeti tek pandemia vendi ynë ka qenë më fatkeqi nga të gjithë?
Është tamam ashtu. Ekonomia e dobët shqiptare është gjetur akoma dhe më e dobët me nivele të larta borxhi dhe papunësie.
Gjithsesi, në lidhje me kompaninë që unë drejtoj, më duhet të them se në 2020-ën, tremujori i parë (kur ende nuk ishim përballur në mënyrë të drejtpërdrejtë me pandeminë) ishte shumë premtues. Nga data 1 Janar 2020 Albania Motor Company, përveç brandeve Ford dhe SsangYoung, shtoi në portofolin e saj edhe përfaqësinë zyrtare të brand-it të mirënjohur Hyundai.

Më tej, shpallja e pandemisë solli një ndryshim të menjëhershëm tek sjellja konsumatore e cila ndryshoi befas dhe në mënyrë drastike. Kërkesa për blerje makinash ra në pikiatë në “short term”. Kjo pati edhe një impakt të shtuar mbi kërkesën për shërbimet pas shitjes, ose shërbimeve të servisit siç i themi ndryshe. Kjo erdhi si rezultat i kufizimeve të vendosura dhe mbylljes së vendit.

A patët frike se nuk do t’ia dilnit? Cilat ishin masat që morët si kundërpërgjigje e situatës jo të favorshme?
Duhet të them që ishte krejt e kundërta, por kjo jo pa vështirësi të mëdha dhe një angazhim maksimal të të gjithë stafit. Albanian Motor Company nuk e ndërpreu për asnjë ditë aktivitetin e saj. Siç thotë proverbi, në kohë të veshtira duhen marrë masa të vështira. Në mënyrë të menjëhershme ne morëm të gjitha masat për të garantuar një ambjent pune të sigurt për punonjësit dhe klientet tanë. Më tej morëm disa masa dhe përshtatëm mënyrën tonë të punës për t’i shkuar në ndihmë klientelës sonë shumëvjeçare për të përmbushur nevojat e tyre për asistencë teknike dhe logjistike, duke zbatuar në të njëjtën kohë te gjitha protokollet anti-Covid.
Pra mënyra jonë e operimit ndryshoi duke iu përshtatur maksimalisht kërkesave të klientëve në kushtet e reja në të cilat u gjendëm befas të gjithë. Në fokusin tonë, si përgjigje e menjëhershme e situatës së krijuar, vendosëm si kriter primar njerëzit, pra stafi dhe klientët tanë.

Përveç sigurimit të një ambjenti të sigurt në punë, ne ishim totalisht të fokusuar në nevojat e klientëve duke arritur jo vetëm të përballonim kërkesat e tyre, por edhe duke i paraprirë ato. Mënyra se si operuam këtu ishte e organizuar në disa hapa të thjeshtë por efikasë: kontakt i drejtpërdrejtë me klientët ekzistues duke iu gjendur pranë me profesionalizmin tonë, përgjigjen e shpejtë në zgjidhjen e problematikave te tyre, ofertat tona që nuk kanë munguar asnjëherë për të ulur sadopak barrën financiare të klientëve tanë në këto momente delikate. Ritheksoj edhe një herë pasi është vërtet shumë e rëndësishme: përkujdesje maksimale ndaj stafit dhe klientëve në ofrimin e një ambjenti të sigurt pune.
Unë besoj se të punuarit fort dhe me sinqeritet të shpërblen gjithmonë pavarësisht lodhjes, impenjimit dhe kohës që kjo kërkon. Dhe në fakt me masat e marra, kemi arritur të rrisim numrin e klientëve të shërbyer, përmbushjen e nevojave të tyre në kohë, masa këto që kanë dhënë frytet e veta dhe në rezultatet e kënaqshme që ka patur kompania sidomos në segmentin e servisit duke realizuar nje turnover të kënaqshëm për 9 mujorin e parë të këtij viti jo të lehtë.

Po e ardhmja, çfarë na rezervon?
Për një të ardhme të afërt, mund të them që ne punuam paralelisht për përgatitjen e proçesit të shitjeve, për të qenë gati kur kufizimet të hiqeshin dhe ekonomia të rifillonte. Komunikimi efikas me klientët ekzistues dhe potencialë, baza e gjerë dhe shërbimi në kohë duke ofruar gjithmonë binomin çmim-cilësi kanë bërë që në fund të Shtatorit në të gjitha brand-et tona, përfshirë këtu dhe Hyundai, ne të arrinim nivelet e parashikuara gjatë buxhetimit të vitit 2020.

Me çfarë sfidash të tjera jeni përballur për ta mbajtur kompaninë tuaj të shëndetshme financiarisht?
Kjo është një sfidë më vete që kërkonte një vëmendje të veçantë gjatë gjithë kohërave, sidomos në kohë krize. Gjatë kësaj periudhe ne kemi treguar kujdes maksimal në menaxhimin e burimeve financiare duke mundësuar një cash flow në nivele optimale. Një rol shumë të rëndësishëm padiskutim kanë patur aksionerët e kompanisë, të cilët kanë një eksperiencë të vyer në disa fusha të ekonomisë. Falë suportit maksimal të tyre kemi marrë vendimet e duhura për të vijuar përpara dhe në arritje të këtyre rezultateve pozitive.

Gjithashtu kemi qenë të mbështetur edhe nga furnitoret tanë bazuar në marrëdhënien solide të konsoliduar ndër vite. Nuk dua të lë pa permendur dhe suportin qe kemi patur nga bankat vendase ku mund te veçoj Raiffeisen Bank dhe Raiffeisen Leasing me të cilët kemi një marrëdhënie të shkëlqyer biznesi. Ata kanë qenë gjithmonë të gatshëm në përmbushje të nevojave të kompanisë sonë për instrumentat e ndryshëm financiarë dhe klientëve tanë me financimet leasing.
Ndërkohë, duhet të theksoj që muajt që vijnë janë thelbesore për kompaninë tonë. Mund të them që kemi ndezur motorët sërish dhe jemi duke punuar si një skuadër perfekte që ka çdo gjë në kontroll. Një sinergji e tillë, që mund të duket si një “sekret” i vogël në pamje të parë është baza e domosdoshme për të ecur përpara.

Dalim tek makinat, çilat janë risitë?
Me siguri flasim këtu për pjesën më të prekshme ku grupi ynë arrin të bëjë edhe një diferencë me tregun. Kam kënaqësinë këtu të zbuloj dy modele interesante të shumëpritura nga tregu ynë: Ford Puma dhe Hyundai Venue.
Të dyja SUV?
E vërtetë! Ky është një trend i pandalshëm tashmë. Ford Puma është duke u afirmuar tashmë si një best seller në kategorinë e tij. Të mos harrojmë që Ford është një lider botëror i padiskutueshëm kur vjen puna tek makinat e larta që mund të përdoren si mjete pune apo si partner aventurash. Por Ford Puma sjell edhe një frymë të re në modelet e “larta” nga toka të markës Ford. Me një design modern dhe dinamik, bashkuar me teknologjinë bashkëkohore, hapësirën e bollshme dhe sidomos një nivel opsionesh unike për kategorinë, Puma është bërë tashmë një model referimi për segmentin. Ndër të tjera, Puma do të vijë edhe në variantin hibrid, për të konfirmuar ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë tonë sociale ndaj mjedisit dhe ndaj jetesës sonë.
Ndërsa Hyundai Venue është një model tjetër që pasuron ofertën e autosalloneve tona. Është një model kompakt që vjen me një pamje “chic”, modern dhe “atletik” që i shkel syrin klientelës që din se çfarë kërkon nga një makinë. Si në çdo model tjetër të markës Hyundai, pritshmëria është shumë e lartë dhe besojmë që edhe tregu ynë do ta përzgjedhë masivisht këtë model, në trendin e rritjes eksponenciale që Hyundai vazhdon të ketë edhe në tregun tonë.
Të mos harrojmë këtu edhe pikat tona të forta që janë çmimet konkurruese dhe një shërbim shitjesh me asistencë 360°, që fillon që nga vlerësimi i makinës së vjetër që klienti do të shesë dhe përfshirja e vlerës në trasaksionin financiar e deri tek asistenca e plotë për shqyrtimin e të gjitha varianteve të blerjes me leasing sipas nevojave.

Na mbetet vetëm t’ju urojmë suksese në sfidat tuaja …
Faleminderit! Suksesi vjen pas punës, kështu që unë, ne të gjithë, garantojmë dhe ju premtojmë se do të vazhdojmë të punojmë intensivisht në përgjigje të kërkesave të tregut dhe klientëve tanë. Pjesën tjetër ia lëmë në dorë makinave tona, për të cilat jemi shumë krenarë 🙂