na ndiq ne

Xhiro e parë me Puma-n e re

18/11/2020

Suv-i kompakt ruan vetitë dinamike

Pas prezantimit zyrtar të Ford Puma-s në janar të këtij viti, modeli i ri vjen tashmë në Shqipëri pas një periudhe pritjeje dhe kurioziteti.

Natyrisht Puma e re nuk ka asnjë lidhje me coupè-në e vitit 1997, por sipas Ford, ky vlerësim është vetëm sipërfaqësor. Puma e re, edhe pse më e lartë dhe Suv sipas “modës” aktuale, duhet të jetë njësoj dinamike dhe një model që ofron kënaqësi në guidë.

Në pamje të parë, nga afër, mund të konfirmojmë një pamje sportive me maskerinon në linjë me modelet aktuale Ford që në kompleks transmeton një pamje të rëndësishme. Spikasin parafangot e evidentuara nën të cilat “strehoen” rrotat e mëdha, që tregojnë se Puma e re ka edhe muskuj.

Megjithëse kompakte në përmasa (419cm gjatësi) hapësira në bord është më se e mjaftueshme për pasagjerët. Hipja dhe zbritja në kabinë është e lehtë si përpara ashtu dhe mbrapa.

Spikat veçanërisht bagazhi për një makinë të këtij segmenti. 456 litra në gjendje normale që shkojnë deri në 1.161 litra me sediljen e pasme të palosur, janë thuajse një rekord për këtë kategori. Forma dinamike kushtëzon pak xhamin e pasëm në përmasa, por Ford ofron sensorët e parkimit që ta thjeshtojnë punën në manovrat e ndryshme.

Pasi kemi hyrë në bord, ndjesia që Puma e re ofron është shumë pozitive. Hapësira e brendshme është e ndërtuar sipas një orientimi ergonomik të arritur. Një notë të lartë këtu marrin materialet e përdorura. Cilësore dhe të buta në prekje, ofrojnë një ndjesi të kënaqshme për shqisat. Teknologjia flet gjuhën bashkëkohore. Kuadri dixhital me përmasa 12.3″ ka një grafikë tërheqëse ndërsa sistemi infotainment me ekran 8″ ofron ndërlidhje të plotë me Apple CarPlay dhe Android Auto.

Sediljet mbajnë mire bustin dhe janë të kënaqshme për syrin. Ford ofron këtu një gamë të gjerë përzgjedhjesh në ngjyra dhe materiale për të krijuar konfigurimin tuaj ideal. Diçka që mund të përmendim këtu që na bëri përshtypje është funksioni i masazhit, që nuk e gjejmë kollaj në modele të tjera të këtij segmenti dhe pas disa kilometrash në ecje mund të themi që bën vërtet një punë të paqme.

Motori 1.000 kubikë me 125 kuaj fuqi është i qetë dhe i gatshëm dhe ofron që në metrat e parë gatishmërinë e tij. Përgjigjia është korrekte dhe e raportuar në çdo shkelje pedali dhe sapo shigjeta e xhirove rritet, me ndryshimin e zhurmës vjen edhe shtytja e nevojshme për t’i bërë ballë momenteve të ndryshme të guidës. Përgjatë rrugës dytësore në krah të autostradës trafiku është i tillë që nuk na pengon të ecim me hap të mirë dhe kemi mundësi të testojmë edhe gatishmërinë në parakalime. Ajo që mund të veçojmë këtu është ndjesia që Puma transmeton në timon. Nëse do të ishim me sy mbyllur, do të thoshim që jemi në një makinë të një segmenti sipëror. Makina rezulton solide dhe ofron komfort dhe siguri.

Si përshtypje e parë nga kjo xhiro e shkurtër mund të pohojmë që ndryshimi radikal i këtij modeli me ambicje sportive, ruan vetitë dinamike, duke përmirësuar ndjeshëm hapësirën në bord dhe teknologjinë. Kjo e fundit natyrisht është e kuptueshme për shkak të ndryshimit gjeneracional. Gjithsesi, shkurtimisht Ford e ka bërë mirë detyrën.

Për më shumë, presim të analizojmë në mënyrë të hollësishme në një test drive të plotë ku të kemi mundësi të testojmë Pumën e re më gjatë dhe në më shumë kushte dhe terrene. Deri atëherë, mund ta shikoni edhe vetë Puma-n e re dhe madje ta provoni në konçesionarin zyrtar Ford në autostradën Tiranë – Durrës, Km. 10, menjëherë pas mbikalimit të Kasharit.