na ndiq ne

Makinat e elektrifikuara parakalojnë makinat Diesel

03/11/2020


Për tregun europian, për herë të parë, në muajin shtator, makinat e elektrifikuara tejkalojnë shitjet e makinave diesel. Këtë e konfirmojnë statistikat e publikuara nga kompania JATO, e specializuar ne business intelligence per sektorin automotive.

Pavarësisht rënies drastike që ka pësuar sektori automobilistik në të gjithë botën, ndoshta edhe e ndikuar nga kjo, si papritur, në Europë është konkretizuar ajo që dikush e ka quajtur “revolucioni elektrik”.

Në Europë deri tani janë dorëzuar gjithësej mbi 8.5 milionë makina të reja dhe nga statistikat rezulton se makinat e elektrifikuara kanë lënë pas “diesel”-in e dashur për të cilin ne shqiptarët kemi ende një debulesë.

Vlen të sqarohet këtu se tek makinat e elektrifikuara përfshihen makinat hibride në formën “hibride të buta” që përdorin sistemin elektrik 48 volt për ndihmesa minimale ndaj motorit me djegie të brendshme dhe këtu shpesh gjejmë edhe modele me motor diesel. Bëjnë pjesë në këtë kategori modelet “hibride të plota”, me fjalë të tjera me sistem vetëkarikimi dhe me qark të mbyllur (siç mund të jenë psh Ford Mondeo Full Hybrid,Toyota Rav4, etj), modelet hibride me karikim të jashtëm (plug in) dhe natyrisht elektrike të plota siç mund të jenë psh versionet e Hyundai Kona Elektrike, Volfswagen eGolf, apo ID3, etj.

Nga sa referon JATO, bie në sy rënia e makinave me motor tradicional (benzinë ose naftë) ndërkohë që makinat elektrike rriten duke arritur gati rreth 330.000 makina të reja elektrike të shitura, ndërkohë që makinat me motorizim nafte bien në minimumin historik diçka më pak se 25%. Për të dhënë një ide më të qartë këtu, 10 vjet më parë, makinat me naftë vërtiteshin rreth 50%apo më shumë të shitjeve totale.

Në nivel prodhuesish dallon Toyota që mban vendin e parë për makina të elektrifikuara, e ndjekur nga Grupi Volkswagen, Ford, Hyundai, duke spikatur diku edhe ndonjë prodhues Premium. Në modelet Ford mund të veçonim psh Ford Puma (një Suv kompakt) në shitjet e të cilit bie në sy që gati 70% e zënë versionet hibride.

Me fjalë të tjera, në kontinentin e vjetër duket se ndjeshmëria për mjedisin dhe për portofolin, bashkuar me normativat shtrënguese, po i japin frytet e para në elektrifikimin e transportit individual. Mbetet që ne në Shqipëri, të reflektojmë nga kjo dhe të nxjerrim ndoshta ndonjë mësim. Jemi gati?