Mercedes EQC 4×4
Një fuoristradë elektrike speciale
Makinat elektrike deri më sot kanë përfshirë segmente të ndryshme, duke shkuar edhe në ekstreme, përfshirë makinat sportive për pistë, por deri më sot nuk kishin prekur segmentin e makinave fuoristrada ekstreme.
Mercedesi duket se tenton diçka të tillë me një eksperiment që ka marrë vëmendjen e shtypit ndërkombëtar dhe atë të të apasionuarve. Bazuar në modelin elektrik SUV EQC, prodhuesi nga Shtytgarti sjell një version të palestruar të pagëzuar EQC 4×4².
Si është EQC 4×4²? Krahasuar me modelin normal është më e lartë nga toka, më shumë se dyfishi, saktësisht 29 cm. Është përmirësuar e gjithë mekanika e akseve, dhe e gjithë makina tani mbështetet në disqe me përmasa 20” të “mbathur” me goma të bollshme 285/50 të dhëmbëzuara për terrene të vështira si balta, bora apo rëra.
Nga ana estetike, e gjithë karroceria ka një tjetër pamje me elementë të shtuar si parafangot e zgjeruara për të mbuluar mirë gomat e zmadhuara, por mbi të gjitha për të dhënë një efekt “wow” për të gjithë ata që zgjohen vërtet vetëm në guidën jashtë asfaltit.
Nga ana e performancës, EQC 4×4² ofron kënde hyrjeje dhe daljeje në nivelin 31,8 dhe 33° të cilat janë edhe më të mira se çfarë ofron modeli G Class. Tërheqja është 4×4 të realizuar nga prania e dy motorëve, nga një për secilin aks, me fuqi të përbashkët 408 kuaj fuqi dhe një moment rrotullues 706 Nm.
Nuk jemi mësuar që një përbinësh të tillë ta shohim të qarkullojë si një “memec” sepse si çdo makinë elektrike, edhe EQC 4×4² nuk bën asnjë zhurmë. Për këtë projektuesit e Mercedesit e kanë pajisur me dy sisteme altoparlantësh. Njëri gjendet jashtë, në zonën ballore të makinës, për të bërë zhurmën e nevojshme që makina të dëgjohet nga këmbësorët, siç e parashikojnë sot normativat europiane. Tjetri përdor sistemin audio të brendshëm për të krijuar disa zhurma që imitojnë situata të caktuara të guidës dhe ndryshon në varësi të marshit apo regjimit të guidës.
A është vërtet i nevojshëm një tingull falso? Me siguri për këmbësorët po, për sa kohë që një makinë elektrike që të afrohet nuk bën asnjë zhurmë, ndërsa brenda në kabinë … këtu kemi dyshimet tona, por le të themi që gjykimi ynë do të jetë më i plotë pasi ta kemi ngarë këtë EQC speciale (megjithëse për momentin ky model concept vështirë se do të kalojë kufijtë e testimeve të teknikëve të Mercedesit).