Peugeot 3008 rinovohet
Shumë përmirësime duke filluar nga “shikimi”
Peugeot 3008 rinovohet pas katër vjetësh nga prezantimi i saj. Me mbi 800.000 njësi të shitura, SUV-i kompakt francez, shënon një sukses të rëndësishëm në nivel europian dhe botëror. Modeli i ri sjell disa ndryshime të rëndësishme në pamjen e jashtme dhe në brendësi.
Pjesa që spikat më shumë është pamja ballore. Maskerino e re sjell një frymë freskie dhe modernizmi vërtet të arritur. Në qendër të saj gjejmë luanin e logos, të rrethuar nga një konstelacion elementësh të kromuar të cilët mbushin maskerinon deri ku takohen me fenerët, ndërsa bashkimi me parakolpin është i butë dhe i ndërthurur në një mënyrë inovative.
Në skaje kufizohet nga dritat e ditës që vijnë në një formë të re, vertikale të gjatë që ngjason me dhëmbët prej felini siç prodhuesi francez e ka në ADN.
Dritat e ditës integrojnë edhe dritat e mjegullës, një tjetër risi në design, duke lënë më të pastër pjesën tjetër të parakolpit. Në mënyrë të përmbledhur, 3008 e re ka një pamje më moderne dhe më agresive.
Në zonën e pasme rinovimi ka përfshirë dritat e pasme të cilat ruajnë tre elementët vertikalë led ndërsa sinjalet janë dinamike me ndezje graduale nga brenda jashtë.
Nga brenda modeli i ri ruan formën dhe design-in e modelit të mëparshëm. Kuadri ka pozicionimin tipik “Cockpit” të stilit aeronautik dhe këtu është dixhital me përmasa 12.3”. Pjesa tjetër e kruskotit ruan të njëjtën formë si më parë, me ekranin e infotainment në qendër dhe poshtë tij bllokun e komandave të vendosura në stil tastiere pianoje me elementë plastikë të zinj dhe elementë metalikë të kromuar. Në zonën midis dy sediljeve gjejmë dy porta USB shtesë për pasagjerët e pasëm.
Nga ana teknologjike Peugeot 3008 e re sjell risinë e sistemit Night Vision (shikim natën) i cili është normalisht një opsion i pranishëm në segmente më të shtrenjta. Ky sistem lexon ose më mirë dallon këmbësorët dhe çiklistët deri në 250 metra përpara dhe imazhet e marra nga kamera me rreze infra të kuqe i projekton në ekranin e kuadrit dixhital. Cruise Control është aktiv dhe frenimi automatik në rast emergjence, në gjendje të dallojë këmbësorët dhe çiklistët edhe natën, mund të reagojë tani deri në shpejtësinë 140 km/h.
Për sa i përket motorizimeve, të gjitha njësitë janë turbo. Me benzinë debutojnë njësitë me vëllim 1,200 dhe 1.600 kubikë me fuqi respektivisht 131 dhe 181 kuaj. Me naftë gjejmë njësitë 1.500 kubikë me 131 kuaj fuqi dhe 2.000 kubikë me 180 kuaj fuqi. Versioni hibrid bazohet në njësinë 1.600 kubikë me kambio automatike me tetë marsha e-EAT8 dhe ofron dy nivele fuqie: 224 kuaj për njësinë me tërheqje në aksin e parë dhe 299 kuaj fuqi për versionin me tërheqje integrale 4×4.