BMW Seria 4
Gjeneratë e re, fytyrë e re
Sipas parashikimeve të muajit qershor, BMW bëhet gati të nxjerrë në treg modelin e ri të Serisë 4, një Coupé “në stilin e qëmoti” që ka për qëllim të prekë zemrat e të apasionuarve. Pavarësisht se prodhuesi nga Bavaria ka sot në treg një mori modelesh të suksesshme, asgjë nuk mund të tregojë më mirë se një Coupé karakterin e markës, design-in dhe performancën.
Gjëja e parë ë godet në këtë Seri 4 është padyshim maskerino e re me dopio veshkën gjigande të zhvilluar vertikalisht, siç e kemi parë tashmë në modelet e fundit të BMW-së, por që në fakt, ata që kanë memorie të mirë, do të kujtojnë ky ka qenë pozicionimi i maskerinos karakteristike disa dekada më parë. Me fjalë të tjera, Seria 4 e re vjen moderne, por dhe retrò në të njëjtën kohë. Për ta bërë teknologjike që në pamje të parë, Coupé-ja e re shpalos drita Led që mund të shoqërohen edhe me teknologjinë Adaptive dhe Laserlight.
Për sa i përket përmasave, ashtu siç perceptohet në pamje të parë, Seria 4 e re është rritur ndjeshëm. Modeli i ri është 12.8 cm më i gjatë se i mëparshmi, 2.7 cm më i gjerë ndërsa distanca ndërmjet akseve është rritur 4 cm. Pasagjerët e pasëm do të gëzohen pa masë në këtë rast, pavarësisht se kapaciteti real i kësaj makine është katër persona dhe jo pesë.
Nga brenda Seria 4 e re merr praktikisht sa kemi parë në Serinë 3 për sa i përket design-it, i cili mbetet modeli më i ngjashëm me të, edhe pse jo tamam binjakë. Kruskoti dhe në përgjithësi hapësira e brendshme ka të njëjtën frymë realizimi, me ekranin e infotainment me pozicionim qendror, kuadër dixhital dhe disa komanda fizike të vendosura në timon dhe në zonën e bllokut të komandave, poshtë ekranit Led të infotainment. Sediljet kanë një design të ri, ndërsa klimatizatori arrin deri në komandim personal për secilin nga pasagjerët.
Seria 4 e re, siç një Coupé duhet të jetë (sidomos nga prodhuesi i helikës), premton një model dinamik që kemi arsye ta besojmë edhe duke parë se ndarja e peshave për secilin aks është në kuotën ideale 50:50. Për sa i përket motorizimeve do të gjejmë benzinë, naftë dhe hibride.
Fuqia në versionet 420d dhe 420d xDrive është 190 kuaj, ndërsa benzina ka një gamë më të gjerë me fuqi që variojnë nga 184 deri në 258 kuaj për versionin 420i, ndërsa në versionin M440i xDrive do të gjejmë 374 kuaj fuqi. Në këtë rast, njësoj si në versionet e naftës BMW ofron ndihmesën hibride (në versionin e butë ose mild – nga anglishtja) i cili parashikon një bateri me kapacitet 8 kW dhe fuqi 10.9 kuaj. Siç e kemi kuptuar tashmë, kambio e vetme është ajo automatike me tetë marsha Steptronic, e prodhuar nga bashkëkombësja ZF.
Vitin tjetër, priten edhe versionet 430d xDrive me motor 3.000 kubikë dhe 286 kuaj fuqi në versionin normal dhe 340 kuaj për versionin M440d xDrive. Versioni më i fqishëm M440i garanton performancën më të mirë me një kohë 0 – 100km/h për vetëm 4,5 sekonda, ndërsa siç mund të pritet, versioni me naftë 2.000 kubikë premton konsumin më të ulët. BMW deklaron 4 litra/100km, që në fakt na duket një rezultat më se i mirë për një makinë performante.