na ndiq ne

BMW M3 dhe M4 e re

24/09/2020

Stil i ri, teknologjia e përhershme

Një histori e gjatë 40 vjeçare për një makinë që përfaqësohet nga vetëm dy gërma: M3. Kaq mjafton për të ndezur një llampë në mendjet e të gjithë të apasionuarve pas makinave sportive me ADN gjermane.

Prodhuesi bavarez ishte edhe pararoja në këtë segment i cili më pas u ndoq me rigorozitet edhe nga konkurrenca “brenda vendit”, por edhe më gjerë.

Pak ditë më parë, BMW ka prezantuar modelin e ri M3 të shoqëruar nga “vëllai” M4, duke ofruar kështu praktikisht një makinë sportive me dy ose katër dyer. Së pari godit këtu një stil i ri që tingëllon si një këmbanë e fortë ndryshimi: dopio veshka e maskerinos BMW ndryshon totalisht për të ardhur në një formë midis stilit vintage dhe futurist. Estetikisht, gjykimi mbetet individual, por modeli i ri padyshim nuk kalon pa tërhequr vëmendjen e syve kureshtarë.

Për një model të tillë, ose më saktë për dy modele të tilla, fjalët e tepërta janë të panevojshme. Le të hyjmë në temë. Modelet e reja prezantohen në dy variante fuqie të cilat derivojnë nga njësia e vetme 3.000 kubikë M TwinPower Turbo. Në versionin me kambio manuale me gjashtë marsha (për ekspertët) motori ofron 480 kuaj fuqi dhe një moment rrotullues prej 550 Nm, ndërsa në versionin automatik fuqia arrin në 510 kuaj ndërsa momenti rrotullues arrin në 650 Nm. Kambio automatike quhet M Steptronic, ka tetë marsha, menaxhohet nga programi Drivelogic i cili ka tre gradime dhe një radiator vaji (të kambios) të dedikuar! Ky version do të jetë edhe baza për versionet ekstreme Competition që do të kenë teknologjinë M xDrive me ndarje të ndryshueshme të fuqisë në akse sipas regjimit të guidës.

Në versionin e M3 dhe M4 me kambio manuale koha e deklaruar 0-100km/h është 4.2 sekonda ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar elektronikisht në 250 km/h.  Kjo kohë përmirësohet për versionin Competition (me kambio automatike) ku për 0-100km/h duhen 3.9 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale mbetet e pandryshuar. Nëse doni të ecni më shpejt se kaq, do të duhet të zgjidhni paketën “M Driver’s Package” ku shpejtësia është e kufizuar në kuotën 290 km/h. Nëse doni të dini edhe konsumin, flitet diçka rreth 10.8 litra/100km, por kjo makinë me 90km/h me marshin e gjashtë (ose të tetë) është një monotoni e padurueshme 🙂

BMW M3 është e gjatë 4,8 metri, e gjerë 1,9 metra me një peshë që nuk është tamam pupël. 1.705 kg janë një rezultat i diskutueshëm, por siguria dhe teknologjia janë kapriçoze dhe nuk pranojnë kompromise. Në rastin e M4 që është edhe versioni Coupé, makina është 1cm më e shkurtër se M3 ndërsa peshorja tregon 5 kg më pak. Asnjë koment mbi shpërndarjen e peshës midis akseve: është thjesht ideale me 50% të peshës mbi çdo aks.

Teknologjia, pikë e fortë e kësaj gjenerate, përfshin sistemin M Traction Control, me 10 gradime të ndryshme (edhe tepër në fakt për mendimin tonë). Timoni mbështetet në sistemin M Servotronic ndërsa amortizatorët Adaptive M janë me kontroll elektronik. Sistemi i frenimit M Compound parashikon dy gradime të pedalit dhe ata që planifikojnë përdorimin në pistë mund të zgjedhin disqet e frenave gjigande me diametër 400 mm në material të përzier karboni dhe qeramike.

Edhe brenda nuk mungon “ngjyrosja” sportive me sediljet në strukturë karboni të veshura me lëkurë Merino, që ndryshe nga shumica e makinave sportive ofrojnë ngrohje dhe ftohje, përveç gradimeve elektrike.

Pjesa tjetër e kruskotit vjen nga Seria 3 (dhe Seria 4) duke shtuar tek kuadri digital Live Cockpit Professional me ekran Led 12,3″ me grafika të dedikuara, ndryshe nga seritë e “zakonshme”.  Sistemi Infotainment komandohet nga ekrani 10,25″ ku gjejmë sistemin operativ BMW Operating System 7. Nga këtu mund të komandohen edhe programet e guidës, gradimet e shasisë dhe të motorit midis Road, Sport dhe Track.

Adas në ndihmë të guidës parashikojnë Park Distance Control, Front Collision Warning, Lane Departure Warning, Speed Limit Info, Driving Assistant Professional, etj etj.

Çmimi zyrtar për vendin tonë duhet ende të konfirmohet por duhet të presim diçka rreth 90.000 euro në versionin fillestar.