Jaguar F-Pace i ri
Shumë risi për ta quajtur thjesht “facelift”
Modeli F-Pace ka qenë një ndër modelet Suv me karakter të veçantë. Nga njëra anë ka qenë një shprehi e arritur e sportivitetit, luksit dhe prestigjit anglez, por nga ana tjetër ka ditur të jetë në të njëjtën kohë një model i ndryshëm nga turma.
E gjitha kjo e “qëndisur” me një mori teknologjie që grupi Jaguar Land Rover e ka në experiencën e tij sidomos në sektorin Suv-Off Road, F-Pace bëhet kështu një zgjedhje serioze për t’u konsideruar.
E prezantuar për herë të parë në vitin 2015, pas pak më shumë se katër vitesh në treg, F-Pace vjen tashmë i rinovuar me “rifreskimin e zakonshëm” që bëhet diku nga gjysma e ciklit të jetës së modelit. Në fakt, për nga ana e risive, modeli i ri është diçka më shumë se thjesht një “facelift” (nga anglishtja: freskim fytyre). Së pari, nga pamja e jashtme dallojmë që F-Pace i ri shpreh më mirë karakterin e tij sportiv. Me frymëzim nga versioni sportiv SVR, F-Pace i ri ka një pamje ballore më agresive, gojëzat e ajrit të ridizenjuara (dhe të zmadhuara), një kapak motori të rinovuar me një punim në reliev që shpalos një frymë të re të atij që nga forma ishte dhe është një prej modeleve SUV më sportiv.
Maskerino është thuajse tërësisht e re me një zgarë të ndryshuar dhe me elementë të kromuar. Fenerët e rinj kanë një motiv të arritur “dopio J” dhe përfshijnë (opsionale) teknologjinë Pixel Led me funksionin Adaptive Drive Beam që i përshtatet kushteve të rrugës (nuk verbon makinat që vijnë përballë) dhe ndjek trajektoren e makinës. Edhe dritat e pasme janë rinovuar duke iu afruar më shumë stilit të “vëllait elektrik” I-Pace.
Edhe pjesa e pasme është përmirësuar në detaje dhe rifinitura duke përfshirë ridizenjimin e tubave të shkarkimit. Ndryshe nga sa shohim në shumë modele aktuale ku gjejmë një kornizë kromi të mbyllur me plastikë (kush e di se nga ka lindur kjo mode) në Jaguar-in e fundit F-Pace, tubat e shkarkimit të gazrave janë të vërteta.
Rinovimi është thuajse rrënjësor brenda ku F-Pace i ri shpalos një frymë të re, më moderne dhe më teknologjike. Ekrani i infotainment zmadhohet në përmasat 11.4” dhe është i rrethuar nga një kornizë metalike prej magnezi. Vendosja e tij “mbi kruskot” është relativisht origjinale me një efekt si të një ekrani kompjuteri lap top të hapur, ndryshe nga stili “tablet” që e gjejmë tashmë gjithandej. Edhe kuadri është digital me një ekran të bollshëm 12,3” dhe mund të shoqërohet me Head-up display që projekton në xhamin e përparmë në kohë reale informacionet që merr nga sistemi informacionet.
Cilësia e jetës në bord dëshmohet edhe nga cilësia e ajrit, e garantuar nga standarded e filtrimit të ajrit PM2.5 dhe dy sisteme të reja: Active Noise Cancellation dhe Engine Noise Cancellation, që kanë funksionin të ulin në maksimum zhurmat që vijnë nga jashtë dhe nga motori.
Risi të rëndësishme vijnë edhe nga “reparti” i motorëve. Motorët Ingenium me katër dhe gjashtë cilindra respektojnë normativën europiane antindotje Euro 6d Final. Për motorizimet me naftë gjejmë teknologjinë hibride “të butë” e cila me ndihmën e një baterie 48 volt ka funksionin të ndihmojë motorin kryesor duke ulur kështu emetimet e gazrave. Në vëllimin 2.000 kubikë gjejmë fuqitë 163 dhe 204 kuaj ndërsa version 3.000 kubikë zhvillon 300 kuaj fuqi. Motori me benzinë ofron dy nivele fuqish: 340 dhe 400 kuaj. Versioni top duket të jetë P400e, një njësi hibride plug-in që me fuqinë e motorit 2.0 me benzinë dhe motorit elektrik zhvillon së bashku 404 kuaj fuqi me moment rrotullues 640 Nm.
Kjo e fundit është në gjendje të ecë për rreth 50 km vetëm me bateri (= zero ndotje) dhe bateria me kapacitet 17.1 kWh mund të karikohet për 30 minuta deri në 80%. Jaguar premton një konsum rekord prej 2.2 litrash/100km ndërkohë që performanca është gati sportive. Vetëm 5.3 sekonda për të shkuar nga 0 – 100km/h!
F-Pace i ri ofron edhe katër programe guide: Comfort, Eco, Rain-Ice-Snow dhe Dynamic për të gjitha llojet e terreneve dhe nevojave apo dëshirave. Mbeten ende për t’u zyrtarizuar çmimet e shitjes.