Nissan Z Proto
Më në fund një Coupé “Hard Style”
Në pesë gjenerata, prodhuesi japonez ka sjellë pranë të apasionuarve një model coupé që për herë të parë është prezantuar në vitin 1969 me siglën 240Z. Modeli i fundit i prodhuar ka mbajtur siglën 350Z ndërsa dje Nissan ka prezantuar modelin e ri të quajtur Nissan Z Proto dhe që do të jetë baza e modelit “normal” dhe mund të marrë siglën 400Z.
Ende për t’u konfirmuar është fakti nëse ky model, që do të vijë në konçesionarë në vitin 2021 do të mund të ofrohet në Europë ose jo. Nga disa aspekte, Nissan na ka habitur disi pasi sjell një model me disa karakteristika tradiconale që sipas kompanisë ka për qëllim të jetë një omazh i së kaluarës.
Spikasin këtu një design minimalist, një kambio manuale (shkollë e vjetër) dhe një kruskot i denjë për një sportive të viteve ’90, por në kuptimin e mirë të fjalës.
Tjetër aspekt i design-it është turiri i gjatë tipik i makinave me motor përpara dhe linjat harmonike gati të rrumbullakëta që karakterizojnë gjithë makinën.
Tiparet teknologjike janë ato të dritave Led apo ekranet me prekje brenda, ku në qendër të kruskotit spikasin tre elementët e rrumbullakët në kujtesë të modelit të parë të kësaj serie të suksesshme.
Kambio do të jetë vetëm manual me gjashtë marsha dhe tërheqja mbrapa. Ju thonë gjë xhirimet e gjata të gomave dhe drifting me frena dore? Mjafton të kujtoni këtu episodin e tretë të sagës “Fast and Furious” 😉
Nuk ka ende asnjë informacion zyrtar mbi motorin, që duhet të jetë një njësi 3.000 kubikë me 6 cilindra në formë V dhe dy turbina. Fuqia duhet të arrijë kuotën 400 kuaj, por ende këtu nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar.
Si mendoni, zgjedhje e mirë apo i ka kaluar koha makinave të tilla?