Toyota rifreskon imazhin me një Logo të re
Kolosi global bëhet më “cool”
Toyota, prodhuesi më i madh në botë për makina duket se ka vendosur të rifreskojë imazhin e saj duke rinovuar elementin më të ndjeshëm të saj: Logon. Ky veprim do të shënojë një erë të re për kolosin japonez. Që në misionin e saj, Toyota ka qenë një ndër kompanitë më vizionare, duke u deklaruar si një kompani që nuk e shihte veten e saj thjesht si një prodhues makinash, por si një kompani mobiliteti. Këtë gjë Toyota përveç se është duke e zhvilluar me një gamë të gjerë shërbimesh, do ta thotë edhe me simbole.
Identiteti i ri vizual është më i thjeshtuar, duke braktisur çdo design 3d apo në reliev duke kaluar kështu në një grafikë më të thjeshtë dhe më koherente me botën dhe aplikimet dixhitale.
Për të bërë këtë kompania është udhëhequr nga katër elementë: e orientuar drejt së ardhmes, mobile-ready, ndjesi më premium dhe qëndrushmëri të lartë në çdo aspekt, përfshirë këtu sidomos elementët ekologjikë.
Risi është edhe fakti që logo e re do të shpaloset në mënyrë disi monumentale, e pashoqëruar nga emri i shkruar në gërma. Ky design i ri do të sjellë më shumë thjeshtësi, transparencë dhe modernitet. Me këtë rast Toyota ka menduar mirë të sjellë edhe një font (gërma) të ri që do të përforcojë imazhin e ri.
Këto simbole të reja do të kenë përdorim universal me përashtim të logos së aplikuar fizikisht në makina që do të vazhdojë ende e pandryshuar.
Logo e re do të prezantohet për publikun me debutin e Toyota Yaris të re hibride.