Rolls-Royce Ghost
Prezantohet gjenerata e re
Nga modeli i vjetër kemi marrë vetëm statujën mbi maskerino (e quajtur Spirit of Ecstasy) dhe çadrën, – thotë CEO i prodhuesit anglez Torsten Müller-Ötvös. Rolls Royce deklaron gjithashtu se Ghost i ri është një model minimalist me një koncept të ri luksi pa ekzagjerime.
Na vjen pak për të qeshur me këtë deklaratë kur shikojmë në fakt makinën nga afër. Le ta fillojmë nga përmasat. Rolls Royce i ri është 5,54 m i gjatë, 2,15m i gjerë. Ka një distancë 3.3m midis akseve dhe është 1,57 m i lartë, praktikisht një veturë e lartë sa një SUV.
Nga ana e design-it të jashtëm Ghost i ri ka një design disi më të “freskët” krahasuar me modelin tjetër Phantom. Sipas dikujt ky ka qenë edhe një nga sekretet e suksesit për Ghost, i cili është suksesi më i madh në treg në 116 vite histori të markës prestigjioze angleze. Si çdo model tjetër Rolls Royce edhe Ghost i ri ruan linja të pastra, të pangarkuara dhe klasike. Objektivi i ndryshimit dhe evolucionit duke mbetur vetvetja në këtë rast ilustrohet mirë me kontrastet teknologjike të disa elementëve. I pari që bie në sy janë fenerët e rinj me teknologji lazer në gjendje të hedhin dritën deri 600m larg. Një lojë dritash e veçantë ofrohet nga një efekt ndriçimi i maskerinos. Linjat vertikale të kromuara, të imagjinuara si kollonat e një tempulli antik, ndriçohen nga 20 dioda që i japin atyre një efekt tridimensional dhe ofrojnë një pamje të rrallë të makinës natën, kur dritat bëjnë edhe efektin maksimal.
Në profil design ruhet minimalist me një vijë të vetme të punuar në reliev duke i ruajtur vendin kryesor dyerve që hapen në stilin e një salle pritjeje, të komanduara elektrikisht që pasagjerët “të mos lodhen me duar”. Pjesa e pasme është thuajse e pandryshuar nga modeli i mëparshëm, ndoshta pak më dinamik në forma.
Nga brenda stili “minimalist” bëhet ndoshta paksa më i dukshëm krahasuar me gjeneratën e mëparshme, por bie në sy edhe një karakterizim teknologjik më i lartë. E pamundur të mos dallosh menjëherë efektin e qiellit me yje të vendosur në pjesën e kruskotit përballë pasagjerit dhe në pjesën e sipërme të tavanit nga brenda. 850 yje të formuara nga 150 dioda rrethojnë emrin Ghost. Vetëm për realizimin e këtij efekti ndriçimi janë dashur rreth 10.000 orë punë. Prit pak! Ky efekt mund të bëhej fare mirë me një ekran led që mund të kushtonte vetëm disa qindra euro, apo jo? Jo, në një Rolls Royce, nuk do të kishte të njëjtin efekt real që ka në formën aktuale.
Brenda trajtimi ekstra luksoz vazhdon me një izolim akustik absolut. Vetëm për këtë aspekt janë dashur më shumë se 100 kg material izolues. Qëllimi është që të ofrohet akses në një botë ekskluzive me zero zhurma nga bota e jashtme. Në kontrast me këtë impianti audio ofron 1.300 W të shpërndarë në 18 altoparlantë të cilët garantojnë cilësi maksimale edhe falë një teknologjie të veçantë që përdor dy mikrofonë të cilët bëjnë kalibrimin ambiental duke identifikuar dhe kontrastuar frekuencat “shqetësuese”.
Mqs dolëm tek teknologjia, Ghost është Rolls-i më teknologjik i prodhuar ndonjëherë. Përveç fenerëve me lazer që përmendëm më parë, ofrohen edhe një kamera me rreze infra të kuqe që dedektojnë njerëzit ose kafshët natën, sisteme të asistencës në guidë, parkim automatik, head up display me resolucion të lartë, hot spot Wi-Fi dhe një sistem infotainment i avancuar.
Nga ana mekanike Rolls Royce premton një guidë unike falë disa risive. Së pari shasia është e realizuar tërësisht në alumin, e përbashkët me modelet Phantom dhe Cullinan. Zhvendosja e amortizatorëve të parë ka mundësuar këtu një ndarje peshash 50:50 midis dy akseve. Në këtë gjeneratë do të gjejmë edhe tërheqjen 4×4 dhe të katër rrotat aktive në përgjigjen ndaj timonit. Në shpejtësi të ngadaltë, rrotat e pasme lëvizin në drejtim të kundërt me ato përpara për të thjeshtuar manovrat, ndërsa në shpejtësi të mëdha lëvizja është në në drejtim me rrotat e përparme duke i dhënë kështu Ghost-it më shumë stabilitet.
Nga ana motorike, njësia është e njëjta me atë të modelit Phantom dhe Cullinan. Vëllimi është 6.750 kubikë, 12 cilindra në formë V, 571 kuaj fuqi dhe 850 Nm moment rrotullues, i disponueshëm që në regjimin 1.600 xhiro/minutë. Me fjalë të tjera, pak xhiro mbi minimo, motori është në gjendje të ofrojë gjithë fuqinë e tij duke ofruar kështu një rregullsi në ecje për në guidë fluide dhe pa sforco në çfarëdo shpejtësie të doni të udhëtoni.
Çmimi? Ende nuk është zyrtar, por duhet të mbetet rreth nivelit të modelit të mëparshëm, dmth diçka më pak se 300.000 euro dhe ky për një Rolls Royce konsiderohet si një çmim i arsyeshëm.