na ndiq ne

Pesë makina sportive “të panjohura”

02/09/2020

Apo jeni ekspert?

 Shumë nga ne (ju), të apasionuar pas makinave, mendojnë se janë të informuar dhe të kujdesshëm ndaj botës automobilistike. Për këtë madje, në rrethin tuaj shoqëror shpesh mund të gjendeni në qendër të vëmendjes dhe madje edhe të mburreni ose të përkëdheleni nga vlerësimi i shokëve tuaj, por kujdes, nëse ndeshni një nga modelet sportive që ne kemi veçuar këtu, mund të gjendeni të papërgatitur dhe të bëni figurë koti 🙂

Nejse, kjo vlente deri tani sepse pas artikullit tonë do të jeni më se të përgatitur dhe të dokumentuar.

BMW Z1

Një cabriolet ndryshe nga të zakonshmet, së cilës i “mungonte” jo vetëm tavani, por edhe dyert, të paktën në mënyrën tradicionale. BMW Z1 e prezantuar për herë të parë në vitin 1986 dhe është prodhuar për pak më shumë se dy vjet midis 1989 – 1990. Kjo coupé-cabriolet dy vendëshe thuhej se nuk ishte e fuqishme mjaftueshëm për të fituar zemrën e të apasionuarve. Pastaj diku tjetër na kujtojnë se për dikë që din të ngasë siç duhet një BMW, makina nuk kishte probleme shasie, por probleme qëndrueshmërie kur e shtrëngon fort në kthesa.

Ne i referohemi më shumë fakteve. Me një motor 2.500 kubikë, gjashtë cilindra në linjë dhe 170 kuaj fuqi. Z1 arrinte shpejtësinë maksimale prej 225 km/h dhe shkonte nga 0-100 për 7.9 sekonda. Ok, mund të behetj edhe më mirë, por për një makinë “cabrio” dyvendëshe që peshonte vetëm 1200kg, dikush betohej se performanca ishte e garantuar.

Alfa Romeo SZ

Sa nga ju ekspertët e dinin vërtet se Alfa Romeo ka prodhuar ndonjëherë një model të quajtur SZ? Edhe sepse në fakt modelet e “Alfës” kanë patur gjithmonë emra të mirëfilltë. Psh Giulia, Giulietta, Stelvio, etj janë disa shembuj edhe aktualë. Kur e sheh në fotografi mendon se e kupton ku janë frymëzuar për të prodhuar atë që më vonë është sigluar me 155, në periudhën e modeleve “numerikë”.

Duhet të dini ama se SZ është pagëzuar edhe “përbindëshi”. Kjo sepse me motorin me 210 kuaj fuqi dhe një shasi të goditur arrinte të gjeneronte në kthesa vlera si 1.2 apo 1.4 g, të denja për një makinë sportive të kohëve tona. Nga 0-100 duheshin 7 sekonda, por njëherë që nisej, kjo Alfa nuk dinte të ndalonte më. Ouuuu??

Spyker C8

Me një motor V8 me benzinë 4.200 kubikë, të firmosur Audi, me 400 kuaj fuqi, prodhuesi holandez ka ditur të ofrojë një makinë sportive që të ngjesh pas sediljes dhe që padyshim ka një stil shumë të goditur në detaje, sidomos në hapësirën e brendshe. Natyrisht që e gjitha mbetet pak anonime, por për një koleksionist, kjo e bën këtë model gati gati edhe më të veçantë. Nga ana e performancës, gjenerata e parë e prodhuar në fillim të viteve 2000 arrinte shpejtësinë 300km/h dhe përshpejtonte nga 0-100km/h për 4.5 sekonda.

TVR Tuscan

Kur vjen puna për makina sportive, Anglezët kanë patur gjithmonë stil dhe prodhuesi TVR e konfirmon këtë. Modeli Tuscan ka debutuar për herë të parë në vitin 1999 dhe që atëherë ka mbetur në memorien e të gjithë ekspertëve dhe të apasionuarve.

E veçantë për një prodhues të vogël është fakti që ata kanë arritur të prodhojnë vetë edhe motorin. Gjashtë cilindra në linjë, 4.000 kubikë në gjendje të zhvillojnë deri në 400 kuaj fuqi janë një rezultat që meriton duartrokitje. Pjesa tjetër përmbush pak a shumë pritshmëritë, ose më saktë përmbush pritshmëritë për një supercar. 0-100km/h bëhen për 3.9 sekonda dhe kjo është ndër modelet e para që zbret nën kuotën 4 sekonda në ato vite.

Porsche 968

Zakonisht kur lexojmë këtë emër të lavdishëm, na vjen ndërmend 911 ose Carrera, ose së fundmi edhe Cayenne apo Panamera, por 968?? Jini të sinqertë, pak e mbajnë mend vërtet modelin. I akuzuar shpesh që të mos jetë një Porsche i vërtetë, 968 në fakt vjen nga një rifreskim i modelit 944, që kaloi si një vegim edhe në Shqipëri në vitet e para ’90, por atëherë tek ne, kur as nuk dinim si shqiptohej “Porsche”, kjo makinë u interpretua si një makinë e bukur me një motor 3.000 kubikë që të thante serbatorin dhe xhepat. Në një periudhë kur rrugët ishin ende me gropa të mëdha dhe korsi të ngushta e kuptoni vetë se sa e dobishme ishte kjo makinë, por fatmirësisht Shqipëria nuk ishte i vetmi vend ku Porsche shiste makina 🙂

Kur Porsche vendosi të rifreskonte 944, nuk e mendonte që modeli i ri do të ishte gati në 80% të elementëve i ri, kështu që panë të drejtë t’i jepnin një numër të ri, dmth 968. Motori mbeti një njësi 3.000 kubikë me katër cilindra, motori ishte i vendosur përpara, tërheqja mbrapa dhe fuqia ishte “vetëm” 240 kuaj, por nga mekanike dhe inxhinierike 968 mbetet një Porsche. 968 nuk arriti të kapërcente famën e modelit paraardhës 944 kështu që mbetet një model i rrallë që mund t’i shtojë vlerë ndonjë koleksioni edhe në ndonjë garazh shqiptar.