na ndiq ne

Ford Mustang, sportivja më e shitur në 2019

20/04/2020

Një fitore “Made in USA”

Viti 2020 do të jetë një katastrofë për të gjithë prodhuesit e makinave. Shitjet janë më se përgjysmuar në tregun europian dhe fabrikat, ende të mbyllura pritet të hapen shpejt. Kjo vlen për të gjithë prodhuesit, edhe për ata që mbyllën një 2019 të suksesshme.

Të dhënat që mund të ofrojë tregu i makinave në rang global janë të shumëllojshme, por më të apasionuarit janë të orientuar drejt makinave sportive. Sipas një publikimi nga revista italiane “Alvolante”, për vitin 2019 kurora e fituesit i takon modelit ikonik Ford Mustang.

Vitin e kaluar sportivja amerikane ka shitur 102.090 njësi dhe kjo shifër është vërtet shumë e respektueshme kur flasim për makina sportive. Këto të dhëna janë rezultat i statistikave të 80 tregjeve të ndryshme që përfaqësojnë rreth 95% të tregut global. Mustang është një legjendë tashmë botërore që pa asnjë rezervë mund të themi se është modeli më simbolik i Ford. Receta “Made in USA” që mundi prodhuesit europianë është një miks i arritur stili, performance, përzgjedhje motorësh për të gjitha shijet dhe çmime të arsyeshme.

Risia e Ford së fundmi është që Mustang mund të blihet edhe në Europë, gjë kjo që ka sjellë rritje të rëndësishme për markën dhe për modelin. Në Gjermani Mustang ka shënuar rritje të konsiderueshme në kuotën 33%, në Poloni 50% dhe 100% në Francë (ose dyfishim i shitjeve).

Për këtë segment, siç dihet, një vend të veçantë e zënë motorët, pika e dobët e çdo automobilisti kërkues. Mustang mund të zgjidhet në disa versione, duke filluar nga një motor “modest” me “vetëm” katër cilindra. Njësia 2.300 kubikë Ecoboost zhvillon gjithsesi fuqinë e respektueshme 314 kuaj, që janë të mjaftueshme për një performancë të mirë si nivel i parë. Më tej gjejmë versionin GT, njësia V8 me vëllim 4.000 kubikë dhe 466 kuaj fuqi ndërsa versioni Bullit (për nder të filmit të famshëm me divin Steve McQueen) bazohet në njësinë V8 5.000 kubikë me fuqi 486 kuaj.

Versionet që ama do të ishin ëndrra e çdo të apasionuari do të ishin ato më sportivet, Shelby-t GT350 dhe GT350R, me motor V8 5.200 kubikë dhe 530 kuaj fuqi. Ka edhe një version ekstrem për “të pangopurit” që do të ishte Mustang Shelby GT500. Motori V8 5.200 kubikë “supercharged” me kompesor volumetrik arrin fuqinë 770 kuaj.