na ndiq ne

Gjashtë makinat më të shpejta në botë

19/03/2020

Jo të gjitha janë të famshme për publikun

Gara për shpejtësi në botën automobilistike është një sfidë e vjetër që tashmë e ka kaluar një shekull. Makinat janë vlerësuar gjithmonë për performancën e tyre që në kohën që ndezja ishte me manivel, duke çuar për pasojë në garat e shumëllojshme të shpejtësisë.

Për makinat në rrugë ndryshon disi situata pasi këtu prodhuesit maten me atë që vërtet “dinë të bëjnë” duke u krahasuar me makinat që dalin nga stabilimentet e prodhimit dhe testohen në gjendjen e homologuar, pra siç i merr në dorëzim klienti.

A dini të numëroni disa prej tyre? Revista italiane Alvolante ka listuar gjashtë makina duke iu referuar rekordeve të modeleve të viteve 2000 e në vijim. Zëra të pakonfirmuar ende mund të na çojnë në korrigjimin e këtij artikulli, pasi modeli Jesko Absolut nga suedezi Koenigsegg mund të tejkalojë shpejtësinë 500 km/h, por deri në një test zyrtar, ne nuk mund ta konsiderojmë këtu. Për çdo rast, një gjë është e sigurt, trofeu i krenarisë automobilistike ka qëndruar shumë më gjatë në Europë sesa në USA, ndërsa konkurrent tjetër nuk duket ende në horizont 😊

Bugatti Veyron 2005 – 408 km/h

E prezantuar në vitin 2005, Bugatti Veyron ishte një makinë që theu rekorded e mëparshme. Duke lënë pas McLaren F1 me 384 km/h, bisha franceze arriti kuotën 408 km/h. Fuqia e motorit 8.000 kubikë me 16 cilindra në formë W dhe katër turbo, saktësisht 1001 kuaj, ishte diçka e padëgjuar deri në atë kohë.

SSC Ultimate Aero TT 2007 – 412 km/h

Rekordi francez do të thyhej pas vetëm 2 vitesh, në 2007, nga një prodhues thuajse i panjohur amerikan. Kompania SSC prezantoi për publikun modelin Ultimate Aero TT. Ky model, me një motor V8 me dy turbo, kishte një fuqi prej 1.305 kuajsh. Në testin e bërë në një autostradë të mbyllur për publikun në Washington, Ultimate Aero TT arriti shpejtësinë 414 km/h në ecjen në një kah me erën dhe 410 km/h në kahun e kundërt, duke vendosur rekordin me shpejtësinë mesatare 412 km/h.  

Bugatti Veyron Super Sport 2010 – 431 km/h

Pas kësaj sfide, prodhuesi francez nuk mund të rrinte duarkryq dhe rikthehet pas tre vjetësh në garë. Një version special i modelit Veyron, i pagëzuar Veyron Super Sport gjallërohej nga fuqia e rritur në kuotën 1.201 kuaj. Përveç kësaj, Bugatti përmirësoi edhe aerodinamikën dhe disa elementë të tjerë si marmitat, rrugët e ajrit, etj. Rekordi i ri arriti shpejtësinë 431 km/h dhe për ta festuar këtë u realizuan 30 ekzemplarë të cilët natyrisht u shitën sa hap e mbyll sytë. Njësitë që iu dorëzuan klientëve kishin shpejtësinë e kufizuar në kuotën 415 km/h.

Hennessey Venom GT 2014 – 435  km/h

Një tjetër amerikan merr pjesë në këtë garë katër vjet më vonë. John Hennessey, themeluesi i disa kompanive që merren me aspekte të ndryshme të makinave super perfomante, solli në jetë modelin Venom GT (lexo këtu artikullin e plotë).

Testi u bë në qendrën hapësinore në 2014, në Cape Canaveral, në Florida. Në një pistë të drejtë 5 km të gjatë, Venom GT arriti kuotën 435 km/h, por nuk hyri dot në rekordet Guinness sepse pati një mangësi. Nuk arriti të bënte xhiron e kthimit (në kahun e kundërt me erën).

Venom GT ka një motor V8, 6.200 kubikë me 1.217 kuaj fuqi (njësia motorike që  Chevrolet përdor për Corvette).

Koenigsegg Agera RS 2017 – 447 km/h

Trajtuar më parë në një artikull të plotë (lexo këtu) në vitin 2017 ishte suedezi Koenigsegg që theu rekordin amerikan. Rekordi i vendosur në një autostradë të mbyllur në Nevada (Route 160) ishte saktësisht 446,97 km/h nga një Koenigsegg Agera RS. Modeli i përdorur për test ishte identik me çdo njësi të dorëzuar klientëve. Ky model “shtyhet” nga një motor 5.000 kubikë me 8 cilindra në formë V dhe dy turbina. Fuqia e zhvilluar është 1.360 kuaj.

Bugatti Chiron Super Sport 2019 – 490 km/h

Prodhuesi francez i rekordeve duket se nuk duron dot të shohë trofeun larg “shtëpisë” për shumë kohë. Bugatti përgatit një version special të modelit të ri Chiron, të quajtur Chiron Super Sport, bazuar në të njëjtën njësi motorike 8.000 kubikë, 16 cilindra dhe katër turbo. Fuqia rritet nga 1.500 në 1.600 kuaj, shasia rritet me 25 cm dhe së bashku me optimizime të tjera Chiron Super Sport arrin të tejkalojë shpejtësinë 490 km/h. Rekordi i ri është çertifikuar nga enti gjerman TÜV, por fatkeqësisht nuk u pranua nga rekorded Guinnes. Njësoj si në Hennessey Venom GT, Chiron bëri ecjen vetëm në një drejtim.