Audi A3 e re
Nga Ingolstad zbulohet gjenerata e katërt
Prodhuesi i unazave ka zbuluar para pak ditesh gjeneratën e katërt të modelit best seller Audi A3. Modeli i ri debuton me versionin Sportback (me pesë dyer) ku ndryshimet janë më se të dallueshme me gjeneratën e vjetër.
Pamja ballore njësohet me design-in e modeleve të tjera të familjes, me formën gjeometrike të maskerinos dominante single frame. Bien në sy fenerët Led, të cilët kanë një pamje teknologjike ndërsa poshtë tyre gjejmë dy gojëzat e ajrit (falso) të cilat integrohen me design-in e përgjithshëm. Profili ruan forma muskuloze ndërsa pjesa e pasme është plotësisht në stil Audi dhe nëse duhet të gjejmë një ngjashmëri në familje, kjo do të ishte modeli Q3 Sportback.
Nga brenda A3 sjell ndryshime të rëndësishme krahasuar me gjeneraten parardhëse. Aspekti teknologjik transmetohet nga prania e shume ekraneve dixhitale ndërsa, përfshirë kuadrin dhe në tërësi ambjenti i brendshëm duket i kuruar. Bien në sy dy daljet e klimatizatorit vendosur në krah të kruskotit dixhital, ndërsa ekrani i infotainment është i integruar në kruskot.
Nga ana teknologjike, Audi A3 përfshin nivelin bashkëkohor të sa mund të ofrojë grupi Volkswagen. Këtu mund të përmendim kambion automatike me komandën jo më me levë por me stick, e mundur kjo falë teknologjisë “shift by wire”, e ngjashme me cfarë kemi parë tek Golf VIII (kliko këtu për artikullin).
Në hapësirën poshtë komandave të klimatizatorit celulari mund të karikohet wireless ndërsa integrimi me infotainment mundësohet nëpërmjet platformave Apple CarPlay dhe Android Auto. Për këto të fundit lidhja bëhet me kabëll ndërsa lidhja “pa fije” është e mundur nëpërmjet bluetooth.
Teknologjia ADAS në ndihmë të guidës dhe sigurisë përfshin frenimin e emergjencës, ruajtjen e korsisë, cruise control aktiv, etj.
Motorizimet, siç është trendi i përgjithshëm tashmë, privilegjojnë teknologjinë hibride dhe me benzinë (përfshirë edhe impiantet e gazit të instaluar nga fabrika).
Si fillim motorizimet janë tre: 35 TFSI me benzinë, me motor 1.500 kubikë dhe 150 kuaj fuqi dhe me naftë 30 dhe 35 TDI, bazuar në të njëjtin 2.000 kubikë me fuqi respektivisht 116 dhe 150 kuaj fuqi. Më tej parashikohen edhe versionet me motorin 1.0 TFSI me tre cilindra, versionet sportive S3 me motorin 2.0 TFSI me 310 kuaj fuqi, apo edhe versioni me gaz metan (jo i pranishëm në Shqipëri) 30 g-tron me 131 kuaj fuqi.
Versioni hibrid plug-in bazohet në motorin 1.4 TFSI që zhvillon dy nivele fuqish, 204 dhe 245 kuaj fuqi.
Versioni me tre dyer nuk do të prodhohet më ndërsa versionet e propozuara për publikun do të jenë Bazë, Business, Business Advanced dhe S-line.