DS 9 E-TENSE
Një sedan i ri nga sallonet e Parisit
Prodhuesi francez DS, me ambicjet e tij për të qenë një markë premium, (që përkthehet me një pozicionim mbi markat e tjera të grupit Peugeot dhe Citroën), më në fund arrin të shprehë qartë qëllimet e tij me një sedan luksoz dhe të kuruar në detajet më të imëta. Quhet DS 9 E-TENSE dhe sjell me vete shumë risi interesante.
Megjithëse qëllimi i vërtetë është t’i bëjë konkurrencë treshes premium gjermane (Audi, BMW dhe Mercedes), për nga përmasat, duket sikur DS 9 “sulmon” më shumë modele si Opel Insignia apo Ford Mondeo, por edhe Peugeot 508, me të cilën në fakt ndan të njëjtën platformë, të zmadhuar për të krijuar më shumë hapësirë.
Në fakt, së fundmi është duke u ngritur pyetja nëse një sedan i tillë ka kuptim jashtë një marke premium, pasi klientela tipike e këtij segmenti kërkon mbi të gjitha prestigjin, por me sa duket prodhuesi francez mendon se mund të konkurrojë mirë edhe në segmentin D të sedanëve luksozë.
Si është DS 9 E-TENSE? Modeli i ri sjell me vete teknologji te rafinuar me motorizime hibride dhe një luks parisien që na duket i realizuar mjaft mirë. DS 9 vjen së pari me një design elegant dhe shpalos 4.93 metrat e tij me shumë hijeshi. Maskerino ruan tiparet e familjes DS me elementë “diamanti” tridimensional, fenerët kanë teknologjinë Led dhe i gjithë “turiri” është i “stolisur” mirë me elementë design-i dhe teknologjie.
Në profil DS 9 ka tek – tuk ndonjë ngjashmëri me disa modele aktuale premium, si psh dorezat e dyerve që “zhduken”, por arrin të ruajë identitetin ndërsa pjesa e pasme, edhe pa u shquar në ndonjë element në veçanti, është e realizuar mirë. Rezultati i përgjithshëm merr të gjitha pikët me meritë, pasi kemi të bëjmë me një sedan të arritur në forma, linja dhe imazh.
Nga brenda DS 9 duket inovatore me idenë e një luksi të barabartë midis sediljeve të para dhe ato të pasme. Ambjenti është mikpritës dhe vërtet chic. I gjithë kruskoti është i veshur me lëkurë me tegelat e qepjes të dukshëm. Francezët nuk kanë lënë as detajin më të vogël pa kuruar duke veshur me lëkurë edhe dorezat brendshme të dyerve. Për pasojë, ndjesia në prekje e çdo sipërfaqeje të brendshme është (duhet të jetë) një eksperiencë e ngrohtë dhe pozitive. Sediljet e pasme ofrojnë hapësirë, ngrohje dhe ftohje si dhe masazh.
Deri këtu, në këtë segment nuk arrin asnjë konkurrent. Si në një sedan luksoz të një niveli sipëror, në bordin e DS 9, çdo pasagjer mund të gradojë vetë çdo aspekt që ka të bëjë me komfortin në udhëtim dhe deri këtu mendojmë që francezët, si mjeshtra të luksit, kanë bërë një punë të lavdërueshme.
Po motorizimet? DS 9 E-TENSE propozohet në nivelin fillestar me motorizimin hibrid me fuqi 225 kuaj, me mundësinë e një autonomie elektrike deri në 40 – 50 km, falë baterisë me kapacitet 11.9 kWh. Kambio natyrisht është automatike dhe ka tetë marsha. Duke qenë ama se performanca është një kusht i pashmangshëm i një sedani të kësaj kategorie, DS ka përgatitur edhe dy motorizime të tjera me 250 kuaj fuqi dhe 360 kuaj fuqi, kjo e fundit me tërheqje integrale inteligjente.
Për të garantuar komoditet në bord, DS 9 ka një sistem amortizimi aktiv. Quhet Active Scan Suspension dhe falë një telekamere analizon terrenin, sistemet në bord përgatisin përgjigjen e amortizatorëve. Sipas DS, ky sedan ofron komoditetin e një guide prej qilimi fluturues kombinuar me karakterin dinamik që i ka nevojitet një klientele kërkuese që din se çfarë do nga makina që nget.
Mendoni se ka ndonjë gjë që i mungon sedanit francez? Ju bëjmë atëherë pyetjen që ngritëm në fillim të artikullit: a ka kuptim një sedan luksoz dhe teknologjik jashtë një marke premium?