na ndiq ne

BMW Serie 2 Gran Coupé

19/02/2020

Debutojnë 220d M Sport dhe M235i xDrive

Pas prezanimit vitin e kaluar të modelit sportiv në segmentin “2” të prodhuesit bavarez (me numër çift BMW pagëzon modelet sportive zakonisht) konkurrentja e Mercedes Benz CLA dhe Audi A3 Sedan vjen në treg me dy motorizime interesante.

Njësia me benzinë quhet M235i xDrive dhe bazohet në motorin 2.000 kubikë me fuqi 306 kuaj me një moment rrotullues të lavdërueshëm: 450 Nm në regjimin 1.750 xhiro/minutë. Falë punës së mirë të kambios automatike me tetë marsha dhe tërheqjes integrale, ky version arrin të shkarkojë në mënyrë efiçente fuqinë duke i lejuar të arrijë shpejtësinë 250 km/h dhe të arrijë 100 km/h për vetëm 4.9 sekonda. Guida dinamike premton akoma më shumë falë progameve elektronike që mundëson rregullimin e shasisë, të amortizatorëve dhe përqendrimit të fuqisë në kuotën 60% në aksin e pasëm, kjo e fundit për t’i qëndruar sadopak besnike BMW tradicionale me tërheqje mbrapa.

Njësia me naftë, 220d M Sport, është e njohur tashmë në shumë modele në qarkullim. Zhvillon 190 kuaj fuqi dhe 400 Nm moment rrotullues, që premtojnë gjithsesi një motor jo të mërzitshëm për një Coupé. Në kushte normale ky motor do të ishte më i lavdërueshëm, por kur flasim për një Coupé dhe sidomos krahasuar me binjakun me benzinë, sikur kushtëzohemi pak.
Për një vlerësim më real të këtyre dy versioneve do të duhet t’i provojmë në “terren” (shresojmë së shpejti në konçesionarin zyrtar BMW), por mbetemi të idesë që të dyja versionet, sipas nevojave të përdorimit, mbeten të vlefshme.

Nga brenda edhe kjo Seri 2 ofron një ambjent hi-tech siç mund të presim nga çdo BMW. Cilësia e materialeve dhe ergonomia e krukotit mbeten të një cilësie të lartë, edhe pse pak si shumë tradicionale për dikë. Ajo që sërish nuk na bind shumë mbetet shigjeta (virtuale) e xhirove të motorit, që lëviz në drejtim anti-orar, por BMW garanton se është vetëm impakti i parë. Në guidë, vëmendja shkon gjetiu 😊

Çmimet fillojnë rreth 29.000 euro, por për këdo që ka “oreks” BMW ofron një listë të gjatë opsionesh për ta bërë unike makinën tuaj.