Kia Sorento e re do të jetë kështu
Gjenerata e re do të prezantohet në autosallonin e Gjenevës
Autosalloni i Gjenevës që do të zhvillohet në datat 5 – 15 mars 2020, ndër shumë risi do të jetë edhe vendi i prezantimit të modelit të ri Kia Sorento.
“Kushërira” e Hyundai Santa Fe është projektuar mbi një shasi të re dhe ka objektiva ambicioze. Synimi i projektuesve koreanë është të krijojnë një SUV me përmasa të mëdha, që të mund të konkurrojë me rivalë si Skoda Kodiaq apo Seat Tarraco (për të mos u zgjatur më shumë në listën e konkurrentëve). Për të bërë këtë ata kanë krijuar një model SUV të rinovuar që sipas KIA-s ka një pamje me më shumë muskuj, por njëkohësisht më solide dhe më sportive.
Nuk dijmë shumë nga ana teknike, por zmadhimi i distancave ndërmjet akseve premton për optimizim hapësire. Nga brenda Kia premton se është rritur cilësia e materialeve të përdorura për realizimin e gjeneratës së re. Design mbetet relativisht tradicional, por prania e teknologjisë dhe vëmendja ndaj detajeve sjellin një makinë që rrin me hapin e kohës. Vështirë të gjykojmë për këtë nga ky numër i kufizuar imazhesh që prodhuesi Korean ka shpërndarë, por pamja është së paku harmonike.
Natyrisht ekranet Led zënë një vend kryesor në hapësirën e brendshme ndërsa leva e kambios është zhdukur për t’i lënë vendin një rotulle në stilin e modeleve të grupit Jaguar Land Rover.
Kia Sorento e re do të fillojë shitjet në gjysmën e dytë të këtij viti, por ende nuk ka informacione të detajuara mbi shpërndarjen në konçesionarë.