Sony prezanton Vision-S ose makinën e tij elektrike
Ëndërr japoneze apo realitet i ri?
Sipas disa parashikimeve, automobili, ose makina siç i themi në gjuhën e përditshme është i destinuar të ndryshojë thellësisht në dekadat që do të vijnë. Teknologjitë e reja dhe përdorimet që këto do të mundësojnë duket se do të ulin ndjeshëm barrierat e hyrjes në tregjet automotive. Me fjalë të tjera, ndërkohë që rritet rëndësia e motorizimeve elektrike dhe të kompjuterizimit të makinave (guida autonome, siguria e automatizuar, integrimi i makinës me celularin, etj etj) duket se ulet fuqia dhe vlera e eksperiencës që markat shekullore kanë akumuluar në këtë sektor. Me fjalë të tjera, në këto skenarë mund të mendojnë të bëjnë debutin e tyre prodhues si Tesla, por dhe Google, Apple dhe së fundmi edhe Sony.
Kolosi japonez duket se ka qenë më konkreti në këtë drejtim duke prodhuar një prototip të cilin e ka prezantuar në CES (Consumer Electronics Show) në Las Vegas. Mund të jetë pak shpejt për ta titulluar këtë prototip një anti-Tesla, por ky produkt është tashmë një premtim konkret. Projekti ka parë angazhimin e kolosëve të tjerë të sektorit automotive si Magna Steyr, Bosch, Continental dhe ZF.
Kenichiro Yoshida, Presidenti i Sony Corporation deklaron se “besojnë tek evolucioni i teknologjisë automotive ku makina së shpejti do të shndërrohet në një hapësirë argëtimi” dhe siç e dijmë, këtu Sony është një lider i sektorit. Kolosi japonez në fakt e ka të lehtë të prodhojë sensorë të ndyshëm, software, sistemet e sigurisë apo edhe sistemin infotainment. Për sa i përket këtij të fundit, Vision-S është e pajisur nga një ekran dixhital që mbush të gjithë kruskotin dhe kjo platformë nuk është çudi të përgatitet edhe për t’iu ofruar prodhuesve të tjerë të makinave.
Gjithsesi Sony Vision-S rezulton një model interesant me katër vende që nuk sjell asgjë të re në fushën e design-it të jashtëm, por nga brenda sjell disa të reja interesante. Mos u habisni pra nëse lexoni se kjo makinë ofron një sistem audio ‘360 Reality Audio’ ku çdo sedilje ka altoparlantët e saj apo kur të shikoni se ka një sistem infotainment të lidhur me shërbime “gaming” të avancuara dhe me ndërlidhje “5G Ready”.
Të dhënat teknike nga ana automobilistike flasin për bateritë e vedosura në shasinë e makinës, dy motorë elektrikë dhe 0-100km/h për 4.8 sekonda. Shpejtësia maksimale është 240 km/h.
Natyrisht që është shumë shpejt për të folur për shumë gjëra të tjera mbi këtë makinë, përfshirë edhe çmimin, por një pyetje të vetme është rasti ta bëjmë: do të ishit të gatshëm të blinit një makinë Sony?